Deklaratë e FSHV në lidhje me dyshimet e “Federbet” për baste në ndeshjet e Ligës së Europës

Volejboll

Deklaratë e FSHV në lidhje me dyshimet e “Federbet” për baste në ndeshjet e Ligës së Europës

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 14:30
Pamje nga një ndeshje

Jemi informuar përmes shkrimeve në gazeta dhe në portale mediatike në lidhje me trukime të mundshme të ndeshjeve të volejbollit të Ligës së Europës për meshkuj, të zhvilluara më datat 23-25 qershor, në National Olimpik Park. Bëhet fjalë për ndeshjet e kthimit të Ligës së Europës, Grupi A, që u luajtën në Tiranë dhe më konkretisht Shqipëri-Azerbajxhan (23 qershor) dhe Suedi-Azerbajxhan (25 qershor). “Federbet” shprehet për vënie bastesh të çuditshme për setin e parë të këtyre dy takimeve (fitore me +5 pikë).

Ju informojmë se Federata Shqiptare e Volejbollit, stafi i ekipit kombëtar dhe çdo lojtar i grumbulluar dhe që zbriti në fushë, nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk janë të përfshirë në atë dyshim që ngre “Federbet” për vënie bastesh. Ne kemi luajtur nga seti i parë i ndeshjes së parë në Shkup deri te seti i fundit në Tiranë me ëndrrën e kualifikimit për në finalet e Ligës së Europës dhe as nuk e kemi menduar kurrë një gjë të tillë. Madje as nuk e kemi ditur që një ndeshje e tillë, apo ku turne kuotohej në baste.

Ju lutemi, mos hidhni akuza të padrejta karshi kombëtares së volejbollit, FSHV-së apo volejbollit shqiptar për venië bastesh, pasi asnjë nuk është i përfshirë në këtë çështje të turpshme. Ne kemi luajtur për fitore në çdo set, të çdo takimi dhe nëse ka diçka për të cilën jemi të zhgënjyer është mos-kualifikimi për në finale, që ishte ëndrra jonë dhe e çdo tifozi. Mos shëmtoni më pa të drejtë atë imazh fantastik që krijuam te tifozët e ndërkombëtarët, që na vlerësuan për nivelin dhe organizimin e eventit.

Nuk marrim përgjegjësi nëse kombëtarja e Azerbajxhanit, Suedisë apo lojtarët e tyre, të përmendura ashtu si ne në në këtë akuzë, janë të përfshirë në shit-blerje ndeshjesh. Kjo fjalë nuk ekziston te kombëtarja e volejbollit, që ka luajtur ndershmërisht, me mundësitë e saj maksimale për të treguar vlerat e volejbollit shqiptar. Ju lutemi, mos fyeni me akuza ta pavërteta lojtarët, trajnerët, kombëtaren e Federatën dhe kini respekt për lotët e atyre djemve në parket pas eliminimit.

Federata Shqiptare e Volejbollit është e hapur për çfarëdo lloj hetimi nga “Federbet” apo cilido institucion tjetër hetimor, shqiptar apo i huaj dhe është e gatshme të japë ndihmesën e saj për sqarimin e këtij problemi, që na fyen e rëndon me pa të drejtë. Askush nuk mund të përbaltë punën e madhe të kryer gjatë dy muajve të fundit me akuza për baste nga ana e kombëtares së volejbollit, Erlind Pëllumbi, president i Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat