I afërmi i “Monstrës së Selenicës”: Ishte e rëndë kur pamë fëmijët. Ishte tmerr

Vlora

I afërmi i “Monstrës së Selenicës”: Ishte e rëndë kur pamë fëmijët. Ishte tmerr

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 14:26
Ritvan Zykaj

Guri Zykaj, një nga të afërmit e viktimave te Selenices, vrarë nga kusheriri i tyre 24 vjecar, u shpreh dje se autori i krimit njihej në fshat si një djalë i hedhur, por nuk ishte gjykuar prej tyre për problematika mendore. Ai ishte nisur për te banesa e të afërmve të tij, por nuk ka dëshirë të flasë gjatë për ngjarjen dhe aq më tepër autorin.

Ju jeni i afërm i viktimave?

Po, jemi kushërinj, fis së bashku. Shkojmë e vijmë me njëri-tjetrin. Jemi bërë me njëri-tjetrin ashtu si edhe të gjithë të tjerët këtu në fshatin Resulaj.

Ju ku ishit kur ndodhi ngjarja, dëgjuat krismat?

Pasdite isha afër shtëpisë dhe dëgjuam krismat. Më pas njerëz që bërtisnin se ‘janë qëlluar me armë te Demiri, janë vrarë të gjithë’. U nisëm drejt shtëpisë së tij me idenë që ndokush nga familja qe vrarë, por nuk e mendonim kështu të them të drejtën. Askush nuk e mendonte diçka të tillë. Jemi shokuar kur u përballëm me viktimat, një pas një të vrarë. Ishte e rëndë kur pamë fëmijët. Ishte tmerr, gjëmë e madhe, ç’të them…

Ju si i njihnit viktimat, pasi thatë që kishit hyrje dhe dalje?

E thashë ishim fis me njëri-tjetrin. Njerëz të urtë që shikonin punën e tyre, nuk i binin njeriut në qafë. Njerëz punëtorë dhe shihnin shtëpitë e tyre. Njerëz të respektuar në fshat dhe në Selenicë.

Po autorin?

Po e njihja edhe atë. Një njeri, për të cilin nuk është dëgjuar për ndonjë problematikë të madhe. Shikonte punën e tij, ashtu si edhe familja e tij. Nuk e mendoja kurrë diçka të tillë.

A kishte probleme mendore ai, si njihej këtu në fshat?

Nuk e di dhe nuk mund ta them këtë… Por ishte pak djalë i hedhur pa dyshim. Vite më parë ai ka pësuar një djegie dhe siç thonë, pësoi traumë. E njihnim si djalë të hedhur, por çfarë të them më shumë. Kjo që ndodhi është shumë e rëndë. Akoma nuk mund ta besoj diçka të tillë. Nuk ka bërë vaki të vriten tetë vetë njëherazi. Kjo ngjarje do të mbahet mend gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat