“Do t’ju bëj hatanë”: Si i kishte kërcënuar viktimat autori i masakrës së Selenicës

Vlora

“Do t’ju bëj hatanë”: Si i kishte kërcënuar viktimat autori i masakrës së Selenicës

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 11:01
Ritvan Zykaj

Fshatin Resulaj në Selenicë e ka mbuluar zija. Masakra me tetë të vrarët nga një familje është kryefjala e çdo banori, në çdo orë të ditës. Të afërmit kanë vendosur të hapin shtëpinë e njërit prej viktimave, për të pritur e përcjellë ngushëllime në të. Është banesa e Azem Zykajt, që humbi jetën me gruan e tij Afërditën në këtë masakër, e cila ka hapur dyert e mortit.

Në shtëpi është vëllai tjetër i tij, i cili ka ardhur që nga Greqia ku jetonte me familjen, si dhe dy djemtë, njëri fatmirësisht nuk është ndodhur në banesë në momentin e krimit dhe tjetri jeton jashtë vendit.

Ata presin e përcjellin dhjetëra miq e të afërm në këto ditë të vështira për ta. Kjo është e vetmja banesë e Zykajve e hapur, ndërsa ajo e Demirit ku jetonte me bashkëshorten si dhe e djalit tjetër të tij Besimit, që u vra me të shoqen e dy fëmijët, janë mbyllur me dry. Ndonëse dhomat e shtëpisë janë plot, në to ka rënë heshtja. Askush nuk gjen fjalë në këtë vaki të rëndë, që i ndodhi kësaj familjeje.

Banorët në fshat thonë se ngjarja ishte paralajmëruar, pasi shpesh i riu ishte shprehur para familjarëve se ‘do t’ju bëj hatanë’. Por kjo nuk ishte marrë parasysh, pasi askush nuk mund ta mendonte këtë tragjedi që ndodhi.

Ritvan Zykaj kishte shfaqur prej vitesh shenja luhatjesh emocionale dhe problematika të shëndetit mendor, por të afërmit nuk i kanë vlerësuar këto shenja si një emergjencë për një vizitë të mundshme te mjekët specialistë. Gjyshi i Ritvanit, Kujtim Zykaj, shprehet se do ta djegë të gjallë nipin nëse një ditë do t’ia sjellin në shtëpi.

“E kam nip, por më mori jetën e vëllait, nipërve, të vegjëlve, tetë persona… Nëse ma sillni, e djeg vetë të gjallë”, u shpreh i përlotur gjyshi i tij. Ndërkaq, djali i mbijetuar i Besimit, Albi, i cili humbi prindërit, të vëllanë e motrën, është larguar prej së shtunës nga banesa e tij. I mbetur tashmë i vetëm, ai po përjeton një situatë traumatike e për këtë shkak e kanë marrë në shtëpinë e tyre dajat e tij. Ai punonte si kuzhinier në Dhërmi dhe nuk është ndodhur në shtëpi në momentin e ngjarjes së rëndë.

Nga të mbijetuarit është vetëm vëllai i dy viktimave, Azemit dhe Besimit, i cili ndodhej në gjumë në banesë, por për shkak të problemeve prej vitesh me dëgjimin, nuk kuptoi asgjë çfarë ndodhte jashtë. Ndërkaq, marrja në pyetje e të riut është bërë e vështirë për shkak se asnjë avokat nuk e merrte përsipër mbrojtjen e tij. Dje mësohet se është caktuar ndaj tij një avokat, ndërsa sot pritet që ai të dalë në Gjykatën e Vlorës, nga ku do të vlerësohet masa e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat