Audiopërgjimi i “Babales”, oficerët kontroll lokaleve në Vlorë, por kthehen duarbosh - Bota Sot
Audiopërgjimi i “Babales”, oficerët kontroll lokaleve në Vlorë, por kthehen duarbosh

Vlora

E premte, 17 gusht 2018

Audiopërgjimi i “Babales”, oficerët kontroll lokaleve në Vlorë, por kthehen duarbosh

Më: 23 maj 2018 Në ora: 20:12
Vlorë

Pasi morën dëshminë e Albert Veliut, i njohur si Babalja, oficerët e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda, zbarkuan në Vlorë, duke këqyrur lokalet dhe vendet që përmenden në audio-përgjimin, ku dyshohet të jetë i përfshirë Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Oficerët shpresonin të siguronin kamerat e sigurisë në disa lokale, edhe në atë që njihet si pronë e vëllait të ministrit. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të konfirmohej nëse realisht ka pasur një takim mes ish-të dënuarit, i cilësuar si bashkëpunëtori X dhe Agron Xhafajt.

Por, vizita e oficerëve në qytetin bregdetar, duket se nuk ka vlejtur shumë, pasi burimet thonë se gjatë këqyrjeve nuk janë siguruar të dhëna me interes për hetimin. Në kuadër të çështjes, pasditen e së martës, prokuroria ka administruar me procesverbal edhe pajisjet me të cilat është realizuar përgjimi audio, që u janë dorëzuar nga avokati i gazetarit Jetmir Olldashi.

Megjithatë, prokurorët e çështjes ende nuk kanë marrë një vendim mbi ekspertimin e audio-përgjimit, për të konfirmuar nëse zërat janë Agron Xhafajt dhe Albert Veliut, apo bëhet fjalë për një montazh. Mesa duket, është duke u parë mundësia që ekspertiza të kryhet në ndonjë nga vendet partnere, edhe pse një fakt i tillë pranohet vetëm në rrugë jozyrtare.

Ndërkaq, pritet që prokurorët të thërrasin në pyetje edhe personat e tjerë, që Veliu dhe Jetmir Olldashi, pretendojnë se kanë takuar dhe biseduar për çështje të trafikut të drogës, gjatë investigimit që po kryente gazetari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test