Reshjet e shiut “paralizojnë” sërish Vlorën, situata pritet të rëndohet

Vlora

Reshjet e shiut “paralizojnë” sërish Vlorën, situata pritet të rëndohet

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 20:24
Vlorë

Reshjet e dendura të shiut ditën e sotme kanë mjaftuar që rrugët e qytetit të Vlorës të përmbyten nga vërshimi i ujit.

Akset kryesore të cilat ndodhen nën pushtetin e ujit janë rruga pranë Portit të Vlorës, Bulevardi Vlorë-Skelë, lagjja “29 Nëntori”.

Situata e rëndë ka paralizuar edhe qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve. Ndërkaq, problematike paraqitet situata edhe në katet e para të banesave, ku uji ka dëmtuar orenditë dhe mobiljet.

Reshje intensive shiu priten edhe ditën e nesërme, kësisoj situata e përmbytjeve në qytetin bregdetar pritet të përkeqësohet. 

Nuk është hera e parë që Vlora dhe qytete të tjera të vendit përmbyten si pasojë e reshjeve të shiut. Megjithëse  fenomeni është përsëritur disa herë, autoritetet vendore dhe lokale duken të “dorëzuara” përballë problematikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat