Situatë e rëndë në Vlorë, Fier dhe Elbasan, nisin evakuimet e njerëzve

Vlora

Situatë e rëndë në Vlorë, Fier dhe Elbasan, nisin evakuimet e njerëzve

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 08:47
Vlorë

Shtabi i Emergjencave Civile në Vlorë dhe në Fier ka vendosur evakuimin e disa familjeve në Novoselë dhe në Ferras, si pasojë e përmbytjeve për shkak të motit të keq.

Forcat e Armatosura janë angazhuar për të evakuuar banorët që rrezikohen nga vërshimi i ujërave në këto zona.

Familjet që do të evakuohen do të strehohen në ambiente të tjera deri në përmirësimin e situatës.

Problematike situata paraqitet edhe në zonën e Elbasanit, ku lumi “Shkumbin” ka dalë nga shtrati duke përmbytur toka bujqësore.

Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit të lumenjve, të cilët kanë shtuar prurjet.

Situata në Vlorë

Deri në këto momente, 7 banesa janë nën ujë. Prurjet e Vjosës janë të shumta, ndërkohë banorët e fshatrave Fitore, Novoselë dhe Bishan kanë nisur evakuimin dhe largimin e gjësë së gjallë.

Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron situatën që prej mbrëmjes së djeshme. Prefekti  i Vlorës shprehet se është e njëjta situatë si e dhjetorit.

Niveli i Vjosës është afër kuotave maksimale të përmbytjeve. Banorët shprehen se për një orë niveli është rritur me 1 metër dhe nëse do të rritet dhe 90 cm, lumi përmbyt gjithçka.

Pas përfundimit të takimit të Shtabit të Emergjencave në Vlorë e Fier, Forcat e Armatosura kanë nisur evakuimin e disa familjeve në Novoselë dhe Ferras. Të angazhuar në evakuim janë mbi 100 efektivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat