Rinisin reshjet e borës në LLogora, qarkullimi me zinxhirë

Vlora

Rinisin reshjet e borës në LLogora, qarkullimi me zinxhirë

Më: 15 janar 2017 Në ora: 15:34
Bora në Llogora

Një pjesë e territorit të Qarkut të Vlorës është përfshirë nga reshjet e borës, të cilat janë rikthyer të dielën mes të tjerash edhe në Qafën e Llogorasë, ku intensiteti ka qenë i lartë.

Ky aks rrugor është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërkohë që reshjet e dëborës kanë filluar edhe në fshatrat Tërbaç, pjesë e bashkisë Himarë, Kallarat, Bolenë, Mesaplik, Vranisht, Kuç, por rrugët rurale të këtyre fshatrave janë të kalueshme dhe mjetet të qarkullojnë pa probleme.

Në akset rrugore me borë, strukturat e Qarkullimit Rrugor të Policisë së Vlorës, ndodhen në gatishmëri të plotë në ndihmë të drejtuesve të mjeteve.

[Llogora 96 (2)] Në Qarkun e Vlorës, reshjet e dëborës u shfaqën në 6 janar 2017, çka shënoi edhe fillimin e përkeqësimit të dukshëm të motit, shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave. Kushtet e pazakonta atmosferike, janë shoqëruar me një sërë shqetësimesh në furnizimin me energji elektrike, me ujë të pijshëm dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në akse të ndryshme rrugore. Prej disa ditësh, një pjesë e konsiderueshme e qytetit dhe e fshatrave që përfshihen në Bashkinë e Vlorës, u përballën me mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjetin e ujësjellësit si pasojë e pranisë së ngricave. Po ashtu, probleme dhe mungesa ka patur edhe në furnizimin me energji elektrike.

Shtabi i emergjencës në Bashkinë e Vlorës po koordinon punën për të minimizuar pasojat. Krahas të tjerash, patrullat e Policisë Bashkiake, po monitorojnë situatën e qarkullimit rrugor në segmentet rrugore brenda qytetit dhe në disa të tjera në zonat rurale, ku ka patur prani të dukshme të ngricave. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat