Si të përgatisni një Cheescake

Ushqime

Si të përgatisni një Cheescake

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 07:43
Cheescake

Nuk është një recetë që mudn ta bëni përditë sepse ka një shkallë vështirësie, por nëse do ta provoni nuk do të pendoheni që harxhuat pak kohë.Është mirë që të përgatitet një ditë më parë.

Koha e përgatitjes-30 minuta
Koha e pjekjes-60 minuta

Përbërësit për tavë me diametër 24cm (ose për 10 persona) që t’i hiqet bordi anësor:

Për bazën biskotë
250 g biskota të thata “Petit” ose të tjera, por me cilësi
130 g gjalpë i tretur, i vakët
3 lugë sheqer kaf

Për mbushjen
600 g djathë Philadelphia
150 ml pana për ëmbëlsira
180 g sheqer
1 bustinë vanilje
4 kokrra vezë
1 lugë e madhe me niseshte misri – e mbushur plot
lëngu i 1/2 limoni

Për kremin e bardhë sipër, nuk është i domosdoshëm, pasi ëmbëlsira është shumë e mirë dhe pa të; kjo është thjesht një vlerë e shtuar dhe krijon kontrast që të mos na velë kur ta hamë.
250 ml pana
60 g kos i bardhë i trashë
1/4 limon-vetëm lëngu
2 lugë sheqer pluhur
1 bustinë vanilje

Në një tas, përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë kosin, panën dhe lëngun e limonit derisa të përftojmë një krem. E lëmë për një orë në temperaturë ambienti dhe më pas e ruajmë në frigorifer të mbuluar me plastmasë kuzhine, deri në çastin kur do të përdoret.

Përgatitja e bazës
Grijmë në blender biskotat e copëtuara më parë me dorë, derisa të bëhen si pluhur (ose i fusim në një qese, e lidhim mirë dhe i shtypim me rrahësen e mishit, derisa të bëhen si pluhur), shtojmë gjalpin, sheqerin dhe i përziejmë akoma. Më pas, i hedhim në tavën e lyer më parë me gjalpë e miell ose ku kemi shtruar letër pjekjeje (mirë është që dhe anësoret e tavës të vishen me letër). Me kurrizin e një luge, ngjeshim bazën e brumit në bazën e tavës, por krijojmë një shtresë 3 cm edhe në anësoret e saj. Më pas, tavën e vendosim për 30 minuta në frigorifer, te ngrirja. Pas kësaj kohe ndezim furrën në temperaturën 150° C.

Mbushja
Në një robot ose tas, përziejmë për 5 minuta me rrahësen elektrike të vezëve: vezët me sheqerin, derisa të bëhen si shkumë, shtojmë djathin Philadelphia me lugë, panën pjesë-pjesë, vaniljen, lëngun e limonit dhe niseshtenë. I përziejmë akoma, derisa të përftojmë një krem homogjen, por tani me shpejtësi minimale.

Hedhim kremin mbi bazën që kishim lënë në ngrirje, e shpërndajmë në mënyrë të njëtrajtshme dhe më pas e vëmë të piqet për 60 minuta. Meqenëse koha e pjekjes është e gjatë, nëse është e nevojshme, e mbulojmë me letër alumini pasi të ketë marrë ngjyrë në sipërfaqe. Kur ëmbëlsira të jetë pjekur, nuk e nxjerrim nga furra, por e lëmë për 30 minuta brenda saj, me derën e furrës gjysmë të hapur.
Kur ta nxjerrim nga furra, ajo do të shfryhet, por është normale. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti, e vendosim në një pjatë të madhe dhe më pas e vëmë në frigorifer, të mbuluar me plastmasë kuzhine.

Të nesërmen: kremin e bardhë që do t’i hedhim sipër, e përziejmë me pirun me sheqerin dhe vaniljen që kishim lënë mënjanë dhe e shpërndajmë mbi ëmbëlsirë. E zbukurojmë me fruta të freskëta. Mund të ruhet në frigorifer për 48 orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat