Tiramisu në gotë për të gjithë ata që s'kanë shumë kohë për të kaluar në kuzhinë

Ushqime

Tiramisu në gotë për të gjithë ata që s'kanë shumë kohë për të kaluar në kuzhinë

Më: 22 prill 2018 Në ora: 23:24
Tiramisu në gotë

Receta nga Linda Fishta/ Fotografia e tiramisusë në gotë nga Armand Habazaj! Përgatiten një ditë më parë dhe ruhen në frigorifer deri në momentin që do t’i shërbejmë
Për 4 gota:
250g Mascarpone • 4 fruta pasioni + 4 lugë kafeje sheqer pluhur • 16 luleshtrydhe (varet sa të mëdha i keni gotat) • 2 vezë • 1 bustinë vanilje • 70g sheqer • 16 biskota të vogla të rrumbullakëta të blera gati, ose të përgatitura si më poshtë.
Përgatitja e kremit Mascarpone
1.Përziejmë me rrahësin elektrik të verdhat e vezëve me sheqerin sa të bëhen si shkumë (3 minuta). Lëmë rrahësin dhe përdorim një spatul ose lugë druri për të përzier tani Mascarpone-n dhe vaniljen në tasin ku kemi të verdhat.
2.Bëjmë marengë me të bardhat e vezëve, më pas i përziejmë me shumë delikatesë me kremin e mësipërm duke përdorur spatul me lëvizje nga poshtë lart. E ruajmë kremin në frigorifer të mbuluar me letër plastike për
kuzhinë. Nga frutat e pasionit marrim tulin me lugë të vogël, e përziejmë me sheqerin sa të bëhen si krem dhe e lëmë mënjanë.
Për 16 biskota: 100g miell • 60g gjalpë në temperaturë ambienti (nxirreni 3 orë më parë nga frigoriferi) • 40g sheqer pluhur
Përgatitja: Përziejmë gjalpin me sheqerin me pirun derisa të bëhen homogjenë, shtojmë miellin dhe me duar e përziejmë me gjalpin dhe sheqerin. Marrim brumë sa një kokër arre e vogël, i japim formë të rrumbullakët me pëllëmbë dhe po me pëllëmbë e shtypim pak dhe më pas e vëmë te tava e veshur më parë me letër furre.
I pjekim për 10 minuta në furrën e ngrohur më parë me 180°. Kur të jenë ftohur plotësisht i spërkasim me sheqer pluhur.
Kompozimi i gotave:
Vëmë një biskotë në fund të çdo gote, hedhim pak nga kremi me Mascarpone, kremi me fruta pasioni dhe copa luleshtrydhesh. Bëjmë përsëri një shtresë me krem Mascarpone, krem me fruta pasioni dhe në fund një biskotë. I lëmë gotat në frigorifer të paktën 2 orë përpara se t’i shërbejmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat