Çaj dhe lëng pjeshke me xhenxhefil

Ushqime

Çaj dhe lëng pjeshke me xhenxhefil

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 16:51
ilustrim

Dy receta në një postim, ja këto të mira na rezervon vera. Në fakt, as nuk dija si t’i quaja por këto janë dy lëngje që gjenden shpesh në frigoriferin tim në ditët e verës.  Plot me antioksidues, vitamina, hidratuese dhe freskuese dhe mbi të gjitha kaq të mira për fëmijët.

Janë tepër ekonomike, të shëndetshme dhe mund t’i bëni me frutat që dëshironi më shumë. Një ide e mirë janë mollët dhe qershitë.

Përbërësit:

Për rreth 4 litra lëng:

2 kile pjeshkë

1 rrënjë xhenxhefil

4 litra ujë

2 lugë mjaltë ose shurup agave, panje ose sheqer

Përgatitja

Ndani pjeshkat më dysh dhe hiquni bërthamën (nëse doni edhe mund t’i qëroni, por mua më pëlqejnë me gjithë lëkurë pasi lëshojnë më shumë ngjyrë).

Vendosini në një enë ku do të shtoni 4  litra ujë, rrënjën e xhenxhefilit të qëruar dhe prerë në feta dhe vendoseni në zjarr që të ziejë rreth 35-40 minuta derisa brumi i pjeshkave të jetë copëzuar dhe zbutur mirë.

Një pjesë të lëngut filtrojeni për të pasur një çaj të ftohtë të hollë si ai i kuqi në foto.

Hiqni xhenxhefilin nga pjeshkat, shtoni mjaltin ose ëmbëlsuesin që keni përdorur dhe jepini një të bluar  me mikserin në zhytje.

Këtë masë filtrojeni dhe lëngun e përfituar ndajeni nëpër vazo qelqi. Nëse dëshironi mund t’i shtoni edhe lëngun e gjysmë limoni para se ta bluani.

Lëreni në frigorifer të ftohet mirë para se ta konsumoni.

Shënim: Zgjat 3 ditë nëse ruhet në frigorifer.  Për ta ruajtur më gjatë mund ta ndani kur është i nxehtë në shishe qelqi dhe shishet t’i zieni njësoj si procedura e zierjes së reçelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat