Mbroni mushkëritë me këto ushqime, veçanërisht nëse jeni duhanpirës

Ushqime

Mbroni mushkëritë me këto ushqime, veçanërisht nëse jeni duhanpirës

Më: 17 mars 2017 Në ora: 23:51
Ilustrim

Frutat dhe perimet nuk ulin vetëm rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit – ato mund të neutralizojnë edhe disa nga efektet e dëmshme të duhanpirjes.  Sa më shumë fruta dhe perime të konsumoni, aq më i ulët mund të jetë rreziku i zhvillimit të sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COPD është shkaktari i tretë më i madh i vdekjeve në të gjithë botën. Kjo sëmundje përfshin edhe gjendje të tjera respiatore, si bronkit dhe epfisema.

Për të parë nëse ekziston një lidhje mes sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD) dhe dietës ushqimore, hulumtuesit shkencorë vëzhguan mbi 44 mijë meshkuj suedezë të grupmoshës 45-79 vjeç për 13 vite, të cilët u pyetën rreth pirjes së duhanit dhe konsumimit të 96 ushqimeve. Shkencëtarët zbuluan se meshkujt që nuk konsumonin shumë fruta dhe perime gjatë ditës (më pak se dy racione në ditë) ishin mbi dy herë më të rrezikuar të prekeshin nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, krahasuar me ata që konsumonin mbi 5 racione çdo ditë. Për çdo racion shtesë që ata konsumonin, ulej rreziku me 4-8%.

Ka shumë rëndësi edhe frutat dhe perimet që ata kanë konsumuar. Kështu, perimet e gjelbra, molla, dardha dhe specat janë më të mira në këtë rast. Ato përmbajnë antioksidues, që mund të pakësojnë stresin oksidativë dhe inflamacionin e shkaktuar nga duhanpirja, mendojnë shkencëtarët.

Megjithatë, rezultatet e këtij studimi nuk do të thonë se një dietë e shëndetshme mund të parandalojë të gjithë ato efekte të dëmshme të pirjes së duhanit. Çdo herë që ndizni duhanin, ju vini shëndetin në rrezik. Prandaj, ekspertët thonë që mënyra më e mirë për të ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjes pulmonare obstruktive kronike është të hiqni dorë nga duhani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat