Sezoni turistik-Politikat lehtësuese, dyfishuan treguesit e transportit detar

Turizëm

Sezoni turistik-Politikat lehtësuese, dyfishuan treguesit e transportit detar

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 12:24
Ilustrim

Treguesit e transportit detar, për anijet e linjave të pasagjerëve, jahteve, velierave etj, shënoi një rritje të konsiderueshme gjatë këtij sezoni turistik, falë efikasitetit dhe masave të marra gjatë sezonit për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve detare në poret e vendit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri publikoi shifrat në lidhje me transportin detar të vitit 2018 krahasuar me vitin 2017.

Gjatë periudhës janar-gusht 2018 në portet e vendit erdhën 2420 anije të linjave për pasagjerët, kundrejt 2306 që u regjistruan në vitin 2017.

Numri i jahteve, velierave dhe anijeve turistike gjatë kësaj periudhe arriti në 2748 kundrejt 2214 që regjistroi në vitin 2017.

Ndërsa numri i pasagjerëve të imbarkuar shënoi një rritje në 592452 persona, kundrejt 548560 personave në vitin 2017 dhe numri i personave të disbarkuar shënoi shifrën e 592779 personave në 2018 krahasuar me një vit më parë që ishte 555096 persona.

“Rritja e treguesve të transportit detar konfirmon efikasitetin e masave të marra gjatë sezonit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve detare. Shtimi i ndjeshëm i numrit të jahteve, velierave dhe anijeve turistike, një lajm i mirë për të ardhmen e turizmit në Shqipëri”, citohet ministri Gjiknuri.

Sipas INSTAT, vetëm gjatë muajit qershor 2018, transporti detar i pasagjerëve është zgjeruar ndejshëm duke shënuar rritje dyshifrore. Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në Qershor 2018 arriti në 133.037 pasagjerë, ose 10.0% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Në gjashtëmujorin e parë 2018, numri i përgjithshëm i atyre që kanë udhëtuar me linjë detare shënoi 445.588 pasagjerë.  Tregtia e mallrave, kryeson transporti detar me 58.8%, ndërsa transporti detar kryeson në shkëmbimet tregtare (eksport-import) që kryen Shqipëria me botën.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), mënyrat më të përdorura për shkëmbimet tregtare janë përmes rrugës detare, transportit rrugor dhe atij ajror. Nga të dhënat e INSTAT, rezulton se në muajin qershor të këtij viti, mallrat e eksportuara me rrugë detare zunë 57.4%, me rrugë 38.6% dhe me ajër 0.4%.

Mallrat e eksportuara me rrugë, në qershor 2018, janë rritur me 23.7% dhe me ajër janë ulur me 36.0%, krahasuar me qershor 2017. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë 2018, mallrat e eksportuara me det zënë 58.8%, me rrugë 34.6% dhe me ajër 0.4%.

Mallrat e eksportuara me rrugë, në gjashtëmujorin e parë 2018, janë rritur me 17.8% dhe me hekurudhë janë ulur me 15.0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, bën të ditur INSTAT.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat