Dy projekte të rëndësishme në favor të turizmit në Berat

Turizëm

Dy projekte të rëndësishme në favor të turizmit në Berat

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 16:22
Berati

I njohur si qyteti i një mbi një dritareve , Berati është një qytet unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë.

Mbi kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot , Berati është një nga destinacionet kryesore turistike në vend. Gurgdhendësit e Beratit kanë skalitur rrugë e rrugica të kalasë që shëmbëllejnë me sixhadetë dekorative të punuara me dorë.

Në një video të publikuar nga Banka Botërore, e cila po ndihmon zhvillimin e turizmit në Berat, Eris Zenelaj, menaxher pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit theksoi se ” në bashkëpunim me Bankën Botërore jemi duke financuar dy projekte të rëndësishme në qytetin e Beratit, rruga “Mihal Komneno” , që është rruga pedonale me kalldrëm, që ka filluar punimet dhe një investim tjetër do të jetë rruga automobilistike “Muzak Topia”, që do të filllojë shumë shpejt punimet”.

Ai tha se “të dy këto projekte përfshijnë edhe infrastrukturën nëntokësore me kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, duke përfshirë gjelbërim dhe ndriçim”.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, shprehet se “investimi për rikonstruksionin e rrugës “Mihal Komino”, si një objekt i trashëgimisë kulturore dhe historike përputhet shumë mirë më interesin që ka aktualisht qyteti i Beratit”, transmeton atsh.

“Gurët dhe tradita e përdorur për rikonstruksionin e kësaj rrugë i përgjigjen në mënyrë perfekte traditës dhe teknikave të vjetra origjinale në këtë zonë. Rruga që po rikonstruktohet do të lidhë Beratin me kalanë e kodikëve të vjetër, këtë muze në natyrë që ruan thesare të çmuara “, shprehet Kapllani. Xhorxhi Fani gurgdhendësi nga Berati, tregon se “këtë profesion e kemi trashëguar nga gjyshërit dhe etërit tanë , të cilët kanë patur si profesion të parë gurin dhe drurin”.

Ndërsa Mishela Kazazi, eksperte e turizmit në bashkinë Berat, thekson se “turizmi në Berat është gjithëvjetor duke qenë se rruga është në rikonstruksion, ajo do të rrisë turizmin në Berat dhe do të ketë vizitueshmëri më të lartë, në lidhje me lagjen “Kala”.

Valter Mio, manaxher i hotel “Mangalem” thotë se “kjo rrugë do të na sjellë shumë përfitime ne kemi marrë pjesë në dëgjesa publike , kjo do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin Bratin. Janë bërë shumë bujtina të reja dhe restorante, patjetër kjo rrugë do të ofrojë më shumë investime te reja dhe dinjitoze”.

Studentja Efi Toto, shprehet se ” sa herë që kthehem në qytetin tim shoh për ndryshime. Rruga me kalldrëm që po bëhet është një nga ato ndryshimet e shumëpritura, që na e thjeshton më shumë rrugën për në kala , si dhe e bën më të këndshme për ne dhe banorët e qytetit”.

Pjesa jugore e kalasë e quajtur “Tabia”, një pikë panoramike e rëndësishme për turistët, ndodhet gjithashtu në rikonstruksion.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat