Gjirokastër, festa e qifqive kremtohet krahas artit të rrugës

Turizëm

Gjirokastër, festa e qifqive kremtohet krahas artit të rrugës

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 11:35
Gatimet tradicionale ishin këtë verë në krye të ofertës turistike të Gjirokastrës

Festa e Qifqive të Gjirokastrës e solli gatimin më traditcional të qytetit, trazuar me një atmosferë festive të artit të rrugës.

Qindra vizitorë ishin dëshmitarë të gatimit dhe shijes së qifqive në qendrën historike të qytetit. Gjirokastra vendosi të celebrojë këtë dijeni gatimi qindravjeçare nën një këndvështrim më modern, atë të shoqërizimit përmes shijes.

Gatimet tradicionale ishin këtë verë në krye të ofertës turistike të Gjirokastrës, e shumë restorante e shërbejnë qifqinë të gatuar sipas traditës. Njëra prej amvisave e ndau me dëshirë sekretin e recetës së famshme, me vizitorët që mbushën pazarin e qytetit.

Qendra historike e Gjirokastrës u shndërrua në një hapësirë ku gatimi u ndërthurr me artin. Artistë të zhanreve të ndryshme sollën idetë e tyre frymëzuar nga Gjirokastra. Njëra prej artisteve, që ka sjellë një instalacion të artit të rrugës, thotë se ndjesia e kontroversit të dritareve e ka përshkuar sapo e ka njohur qytetin dhe pikërisht këtë motiv ka sjellë në këtë maratonë shijesh.

Dritare, thotë ajo, që përdoren për të parë, por për të mos u parë nga jashtë; dritare që komunikojnë prej qindra vitesh, hapësira të kujdesshme komunikimi në të njëjtën kohë. Dritare, që sipas saj, sot reflektojnë edhe një përiudhë të vështirë për traditën.

Enea Lici, arkitekt nga Bashkia e Dropullit ka sjellë në vëmëndje përmes një instalacioni funksional, frymëzuar nga Kadare, nevojën e përshtatjes së hapësirës publike që lejon shoqërizimin. Ky “puzzle” mund të formojë një hapësirë që na bashkon, tha ai, dhe mund t’i përshtatet më së mirë qytetit dhe hapësirës së tij publike.

Shumë agjenci turistike kishin përshtatur itineraret e tyre për të qenë pjesë e Festës së Qifqive në Gjirokastër. Sipas tyre, këto evente nuk mund të planifikohen si ngjarje spontane. Nëse kalendari i aktiviteteve kulturore dhe të traditës do të ndahej me operatorët turistikë, në fillim të çdo viti, kjo do t’i shërbente pasurimit të ofertës dhe zgjatjes së sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat