Kosova gjithnjë e më atraktive për turistët

Turizëm

Kosova gjithnjë e më atraktive për turistët

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 14:07
Kaçanik.

Kosova, me një sipërfaqe prej mbi 10 mijë kilometrash katrorë, posedon rreth një mijë vende të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar dhe zhvilluar turizmin.

Kosovës nuk po i mungojnë vizitorët nga gjitha vendet e botës. Numri i tyre çdo vit është në rritje.

Në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, periudha janar-mars e këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ka shënuar rritje të numrit të turistëve që vizitojnë Kosovën për 38 për qind.

Kështu tha Dren Zatriqi, ekspert i turizmit, sipas të cilit, numri më i madh i turistëve që vizitojnë Kosovën janë nga Gjermani, Zvicra, por edhe Shqipëria.

“Në bazë të Agjencisë të Statistikave ka rritje të numrit të turistëve. Nga rreth 24 mijë për periudhën tremujore të vitit të kaluar, ky numër është rritur në 64 mijë turistë këtë vit, për tre muaj. Përpos Zvicrës, Gjermanisë e Shqipërisë në rritje është edhe numri i turistëve aziatikë që po e vizitojnë Kosovën. Atraksion për ta është Ballkani, e kohëve të fundit është edhe Kosova”, tha Zatriqi.

Turizmi malor, mbetet ende më i preferuari kur është në pyetje Kosova.

Image
Pamje nga fshati Bogë

Projekti “Majat e Ballkanit” në përbërjen e saj ka identifikuar dhe zhvilluar shtegun malor prej 192 kilometrave, që lidh fshatrat malore nga të tri shtetet (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi).

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës se Turizmit në Kosovë thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë vit për shkak të kushteve klimatike jo shumë të favorshme, ka pasur më pak vizita se që janë planifikuar të ndodhin. Por, pavarësisht kushteve atmosferike, numri i turistëve që vizitojnë Kosovën është në rritje, tha ai.

Përpos vendeve malore si më të vizituarat, Çeku përmend edhe vizitat urbane, që konsiderohen si më atraktivet në Ballkan për shkak të gjallërisë së qyteteve.

“Përpos maleve e bjeshkëve që vizitohen nga të huaj, në vendin e dytë është rritja e vizitorëve të turizmit urban, për shkak të gjallërisë që ka Kosova, si jetën e natës, pastaj restoranteve të mira, gastronomisë së shkëlqyeshme të Prishtinës, e që njihet si vendi më i mirë në rajon për të rinjtë”.

“Gjithashtu, vizita e Prizrenit e Pejës janë atraktive. Por, ka edhe vizita kulturore, ku këtu kemi ngritje të mysafirëve tej oqeanit, si nga Tajvani, Singapori, Japonia, Koreja Jugore, e që këto janë në rritje në krahasim me vitet paraprake. Këta kryesisht vijnë përmes agjencive nga Kroacia, Mali i Zi e Shqipëria. Vizita e Prizrenit bëhet kryesisht nga turqit nga Turqia”, tha Çeku.

Image
Në Prizren, për çdo vit adhuruesit e kinematografisë nga e mbarë bota vijë për të përcjellë Festivali i Filmit të shkurtër Dokumentar, DokuFest.

Në Prizren, për çdo vit adhuruesit e kinematografisë nga e mbarë bota vijë për të përcjellë Festivali i Filmit të shkurtër Dokumentar, DokuFest.

Por, mungesa e infrastrukturës rrugore, sipas tij, ka ndikuar që të mos vizitohen shumë bjeshkët e Deçanit dhe Junikut. Ndërkaq, shpreson se pas përfundimit të rrugës Plavë- Deçan, këto bjeshkë do të vizitohen nga turistët.

Se Kosova ka potencial të mjaftueshëm natyror për turizëm pajtohet edhe Arben Islami, udhëheqës i organizatës joqeveritare ‘Kosovo Hiking Trips’ dhe ‘Snow Njeri’, organizata këto që në mënyrë vullnetare bëjnë promovimin e bjeshkëve dhe natyrës së Kosovës.

Ai thotë se në Kosovë ekzistojnë rreth 200 bjeshkë, të cilat kanë potencialë të konsiderohen si vende turistike.

Po ashtu, edhe qytetarët mendojnë se Kosova ka potencial për turizëm, por që mungojnë investimet.

Albulena Maliqi, student e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës thotë se si në vendet malore, ashtu edhe në qytete duhet të ketë më shumë investime për të tërhequr vizitorë të huaj.

“Ka vende shumë të mira në Kosovë, por mungojnë investimet. Për shembull është Brezovica ajo që do duhej të ishte atraksion për turistët, por edhe për vetë njerëzit e Kosovës. Ndonëse ajo vizitohet shumë aty nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë”, tha Maliqi.

Image
Brezovicë, mars 2010.

“Mendoj se ka shumë vende në Kosovë, por u duhet investime nga shteti. Por, janë edhe qytetet ato që duhet kujdesur për to, në mënyrë që të tërheqin edhe vizitorë të huaj, e sidomos qyteti i Prizrenit, pasi mendoj se është vend që duhet parë nganjerëzit e huaj”, tha Maliqi. Sidoqoftë, sipas organizatorëve që merren me organizime të grupeve që ecin nëpër male të Kosovës çdo të dielë, në mënyrë të organizuar, rreth 200 persona i vizitojnë këto hapësira./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat