Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri

Turizëm

Programi “100 fshatrat”, risia turistike në Shqipëri

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 17:18
Restorant familjar në fshatin Fishtë, në veri të Shqipërisë

Kur Altin Prenga vendosi të linte Italinë, pas një dekade si emigrant atje, dhe të hapte një restorant të vogël familjar në fshatin e tij të lindjes, Fishtë, në veri të Shqipërisë, të gjithë e quanin të çmendur, shkruan www.travelmole.com.

Pothuajse një dekade më vonë, restoranti i tij është shndërruar në një histori suksesi për industrinë e re të agroturizmit në Shqipëri dhe biznesi i tij ka fituar njohje ndërkombëtare si një vend i përkryer që ofron ushqim nga ferma drejt e në tryezë, duke punësuar edhe dhjetra familje lokale.

Pasi e kishte mësuar mirë zanatin kur ishte emigrant në Itali, ku shkoi pasi u largua nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare, Prenga vendosi të kthehej në Shqipëri në 2009 dhe të bëhej pionier në industrinë e agrobiznesit në Shqipëri duke hapur restorantin e njohur ndërkombëtarisht “Mrizi i Zanave”, të quajtur sipas një vëllimi me poezi nga Gjergj Fishta, një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit XX, i cili u lind në fshatin Fishtë.

35-vjeçari, kuzhinier-pronar, tani mburret me një nga restorantet me prodhime lokale dhe tradicionale të vendit, me pjatat origjinale të krijuara nga bimë të rritura në shtëpi dhe bagëtitë e familjes.

Suksesi i tij ka frymëzuar shumë të tjerë për të provuar restorantet e tipit ”ferma në tavolinë” dhe qeveria shqiptare tani ofron stimuj tatimorë për industrinë në zhvillim.

Fundim Gjipali, një kuzhinier tjetër shqiptar që ka marrë çmime dhe ndan kohën e tij midis Romës dhe Tiranës, ku zotëron restorantet në qendër të qytetit, po hap një agrobiznes në vendlindjen e tij, Shijak, rreth 30 kilometra larg Tiranës, nën filozofinë e ”fermave në tavolinë” që përfshin përbërësit sezonalë dhe minimizon distancën midis fermës dhe pjatës së lokalit.

Dhjetra të tjerë po bëjnë eksperimente duke sjellë modele italiane në Shqipëri, por kuzhinierët me eksperiencë në këtë industri thonë se agrobiznesi kërkon traditë dhe vetëm ata që bëjnë dallimin do të arrijnë të mbijetojnë.

Në një paketë të re fiskale të miratuar nga qeveria shqiptare, sektori i agroturizmit do të përfitojë nga disa stimuj tatimorë, duke përfshirë një taksë mbi të ardhurat prej 5%, një TVSH të ulur në 6% dhe përjashtim nga tatimi në infrastrukturë nëse bëjnë investime.

Bizneset e angazhuara në agroturizëm gjithashtu do të përfitojnë një ulje të taksës së të ardhurave të korporatës prej 5 për qind për një periudhë 10-vjeçare në rast se marrin statusin e ‘operatorit të certifikuar të agroturizmit’ deri në fund të vitit 2021.

Stimulimi ka për qëllim dhënien e një nxitje për agro-turizmin, aktualisht në fazat fillestare të tij në Shqipëri, me disa restorante, kantina, ferma të bletëvë dhe frutave që u ofrojnë turistëve produkte autentike vendase.

Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një fushatë për të markuar produktet e saj unike bujqësore për të nxitur agroturizmin përmes promovimit të produkteve autentike shqiptare, siç janë vaji i ullirit, çaji i malit, bimët medicinale dhe aromatike që konsiderohen si një nga pasuritë më të rralla të Shqipërisë.

Mollët dhe mjalti i Korçës, vaji i ullirit i Beratit, gështenja e Tropojës, mandarina e Sarandës dhe bimët medicinale të Shqipërisë veriore, si dhe perimet e rajonit të Fierit janë tashmë produkte të njohura rajonale, përveç rakisë lokale, një pije e pastër e bërë zakonisht nga rrushi dhe që është pija alkolike tradicionale e shqiptarëve. Megjithatë, atyre iu mungon njohja dhe çertifikimi ndërkombëtar për të depërtuar në tregjet e BE.

Në strategjinë e saj të zhvillimit të turizmit 2018-2022, agroturizmi është në krye të axhendës si një nga mjetet që nuk i shërben vetëm promovimit të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por gjithashtu e bën turizmin më të qëndrueshëm dhe ruan dhe promovon identitetin kulturor dhe lokal .

Ministria e Turizmit thotë se do t’i japë përparësi ndërthurjes së turizmit kulturor me agroturizmin përmes një programi të “rilindjes rurale” që do të rikthejë fshatrat historike si destinacion i turizmit malor, Thethin në Shqipërinë e Veriut dhe fshatrat bregdetarë Dhërmi dhe Vuno përgjatë Rivierës Jugore Shqiptare.

Bujqësia është një sektor kyç për ekonominë shqiptare, duke përdorur rreth gjysmën e PBB-së së vendit, por duke prodhuar vetëm një të pestën e PBB-së, duke treguar produktivitetin e ulët që është penguar nga fragmentizimi i tokës bujqësore në parcela të vogla dhe financimi i dobët dhe teknologjia e përdorur.

Ndërkohë, turizmi, edhe pse shumë sezonal, po bëhet një biznes që po lulëzon në Shqipëri, duke gjeneruar rreth 1,7 miliardë euro në vit, rreth 14% të PBB-së së vendit nga rreth 5 milionë turistë.

Qeveria shqiptare ka zgjedhur 100 fshatra në mbarë vendin për të përmirësuar infrastrukturën e tyre dhe shërbimet publike dhe për të nxitur agroturizmin duke ofruar stimuj dhe grante për të mbështetur produktet bujqësore karakteristike lokale.

Kryeministri Edi Rama thotë se agroturizmi dhe programi i 100 fshatrave është një mjet i ri për të zhvendosur vëmendjen në zonat rurale dhe potencialin e tyre të pashfrytëzuar dhe për t’i sjellë migrantët më pranë fshatrave të tyre.

“Jam i bindur se ky program do të jetë një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë që kanë braktisur fshatrat e tyre dhe tani punojnë në Greqi, Itali apo gjetkë, jo si nostalgji apo detyrim për të dërguar remitanca mujore për të ndihmuar prindërit dhe të afërmit, por si një instrument për të nxjerrë fitim që u mundëson të gjithëve që bëjnë një investim të fitojnë në një vit më shumë sesa nga puna e tyre jashtë vendit “, thotë Kryeministri Edi Rama.

Kjo iniciativë vjen pasi dhjetëra fshatra në Shqipëri, sidomos nga rajonet e varfra të veriut, po abandonohen për shkak të migrimit masiv dhe lëvizjes në familjeve drejt zonave urbane fqinje apo në qendër të Shqipërisë.

Nivelet e larta të migrimit dhe një rënie e shpejtë e numrit të lindjeve janë shndërruar në një shqetësim kryesor në Shqipëri, ku rreth 1,2 milionë persona, rreth 40% e popullsisë së vendit me 2,8 milionë banorë, jetojnë jashtë vendit duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e para në botë që ka me numrin më të lartë të emigrantëve për banor.

Dikur kryeqyteti i Europës për kanabisin, Lazarati, fshat në jug të Shqipërisë, është përzgjedhur gjithashtu në 100 fshatrat që do të kenë infrastrukturën e tyre të përmirësuar, në një përpjekje për t’u orientuar drejt agrobiznesit.

Të paktën katër vite pas kolapsit të industrisë së drogës, fshati i Lazaratit ka humbur shumë nga të rinjtë e tij dhe nga makinat luksoze dhe bujqësia dhe blegtoria janë e vetmja gjë që u ka mbetur të moshuarve për të siguruar jetesën. Autoritetet po promovojnë tani produktet bujqësore lokale dhe po zëvendësojnë industrinë e prodhimit të kanabisit me bimë mjekësore.

Fshatrat malorë turistikë, Thethi dhe Valbona, në Shqipërinë e Veriut, Shëngjergji dhe Pëllumbasi në malin e Dajtit, fshatrat bregdetarë Dhërmiu dhe Vunoi në Rivierën Shqiptare dhe Lini dhe Tushemishti në pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit, në juglindje të vendit, janë ndërmjet 100 fshatrave të përzgjedhur si pjesë e projektit të integruar të zhvillimit rural, që Shqipëria ka në plan të aplikojë dhe viteve 2018-20./ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat