Turizëm bregdetar, por edhe kulturor: Oferta e pasur e Durrësit

Turizëm

Turizëm bregdetar, por edhe kulturor: Oferta e pasur e Durrësit

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 14:03
Ilustrim

Këtë vit, të dhënat flasin për dyndje të turistëve të huaj në vendin tonë, ndërkohë që edhe vetë vizitorët vendas tashmë preferojnë përveç detit, edhe ture nëpër atraksionet kulturore dhe historike. Turistët që kanë zgjedhur Durrësin, përveç plazhit, kanë një ofertë të pasur me vizita në sajte të ndryshme kulturore dhe historike të këtij qyteti.

Disa prej tyre janë të njohura, e madje, janë pjesë e panoramës ikonike të qytetit, si Torra Veneciane, apo Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit. Disa të tjera kërkojnë ende të zbulohen.

Kështu, mes atraksioneve që Durrësi ofron për turistët është edhe Hamami Mesjetar.

Hamami (banjo) është godinë publike me arkitekturë tipike e periudhës turke. Ajo është ndërtuar në shek. XVIII në këndin juglindor të qytetit mesjetar. Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve qeramikë. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit dhe ka qenë shumë e dëmtuar. U rikonstruktua në vitin 1980.

Po, ashtu Pusi i Tophanes përbën një tjetër vend që ia vlen të vizitohet. Emërtimi Top-Hane tregon funksionin fillestar si punishte për prodhimin e barutit. Prania e burimit të  ujit në lagjen Varosh (jasht kalasë), krijoi mundësinë e ndërtimit të një pusi në shërbim të banorëve të saj, rreth shek. XVI. Ai u ndërtua mbi një bazament  katërkëndësh me gurë, rrethuar me katër kolona graniti të periudhës bizantine të ripërdorura.

Xhamia “Fatih”  është e kohës së sulltan Mehmeti II Pushtuesit (Fatihut). Është ndërtesa më e vjetër e kultit islam në vendin tonë. Ajo është ngritur rreth viteve 1502-1503, përshtatur mbi rrënojat e një ndërtesë kulti të krishterë (bazilikë e shek. XI).

Bazilika e Shën Mëhillit, është ndërtim kulti i fillimit të shek. VI, i kohës së perandorit bizantin Justinian (527-565). Ndodhet 6 km. larg Durrësit në faqen perëndimore të kodrës “Shën Mëhill”, përballë plazhit “Iliria”. Është zbuluar plotësisht dhe ka përmasa 65x28m. Nga ana arkitektonike paraqet një bazilikë tre nefshe me tre absida përkatëse. Ka dy anekse anësore në veri e jug si dhe atriumin (oborr i brendshëm me kolonada). Ngjitur me nefin jugor ndodhet një varr monumental (martirium), mbuluar me një shtresë mozaiku trajtuar në dy emblema, me subjekt nga krishtërimi i hershëm, me sipërfaqe prej 54m². Motivet e zgjedhura, figurat, teknika e punimit, gurët shumngjyrësh e klasifikojnë këtë mozaik si vepër arti unikale e periudhës bizantine e shek. VI, vepër e mjeshtrave mozaiçistë të qytetit të Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat