Kalaja e Gjirokastrës mbetet e preferuara e turistëve

Turizëm

Kalaja e Gjirokastrës mbetet e preferuara e turistëve

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 11:16
Kalaja e Gjirokastrës

Sezoni turistik i këtij viti ka qenë i suksesshëm në Gjirokastër. Të paktën nëse i referohemi vetëm numrit të vizitorëve në kala.

Shifrat e bëra publike nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, tregojnë për rritje me mbi 60% të numrit të vizitorëve për 7 muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 për periudhën janar-korrik, numri i vizitorëve është 31,085 ndërsa po për të njëjtën periudhë të vitit 2018 numri i vizitorëve është rritu në mënyrë të ndjeshme me 50,481 turistë vendas dhe të huaj të cilët vendet që mbartin histori i kanë kthyer tashmë në destinacionet më të preferuara gjatë viteve të fundit.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968-t skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do te priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut ne kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat