Sezoni veror, qytetarët e rajonit preferojnë Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë - Bota Sot
Sezoni veror, qytetarët e rajonit preferojnë Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë

Turizëm

E hënë, 24 shtator 2018

Sezoni veror, qytetarët e rajonit preferojnë Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë

Më: 7 korrik 2018 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Interesi i qytetarëve të Maqedonisë për në Antalya është si kurrë më parë, në Shqipëri tregu kryesor për ardhjen e turistëve mbetet ai shqipfolës, ndërsa për qytetarët e Kosovës vazhdon Shqipëria të jetë destinacioni më i vizituar.

Sezoni turistik veror tashmë ka filluar, ndërsa qytetarët janë në kërkim të aranzhmaneve më të favorshme për pushime verore. Përfaqësuesit e fushës së turizmit nga vendet e rajonit për Anadolu Agency (AA) tregojnë se destinacionet më të pëlqyera dhe më të kërkuara në agjencitë turistike nga banorët e Ballkanit ashtu si në vitet e kaluara edhe këtë vit mbeten plazhet e Turqisë, Greqisë, por edhe ato të Shqipërisë.

“Interesi i qytetarëve të Maqedonisë për në Antalya si kurrë më parë”

Destinacioni më i kërkuar i qytetarëve të Maqedonisë, përveç plazheve të Greqisë janë edhe plazhet e Turqisë. Kreu i Odës Turistike-Hotelierike të Maqedonisë, Arkan Kerim, për AA tha në këtë sezon turistik interesi për në Greqi është më i vogël, për shkak të rritjes së çmimeve dhe tarifave turistike, përderisa Turqia është destinacioni standard për turistët me oferta turistike cilësore.

“12 avionë në javë nga Shkupi fluturojnë për në Antalya, që shënon numër rekord. Asnjëherë nuk ka pasur aq interes të madh nga qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë për në Turqi”, thotë Kerim.

Në lidhje me çmimet e aranzhmaneve, shpjegon Kerim, një familje katër anëtarëshe për 7 ditë pushim në një hotel me 5 yje në Turqi duhet të ndajë rreth 1.200 euro, ndërsa me shumën e njëjtë të parave në Greqi mund të vendoset në apartman.

Ai shton se përveç Turqisë dhe Greqisë, Shqipëria pason si destinacion për të cilin shprehin interes turistët nga Maqedonia, ndërsa pastaj vijojnë Mali i Zi dhe Kroacia.

“Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Maqedoninë”

Nga ana tjetër, nga viti në vit është duke u rritur numri i turistëve që vizitojnë Maqedoninë, bën të ditur Kerim, për shkak se, siç thotë ai, Maqedonia është një vend me lokacione interesante dhe turistët e kombinojnë me turet turistike në vendet tjera në Ballkan.

Ai shton se përveç kryeqytetit Shkupit, Ohri është destinacioni më i vizituar turistik, pastaj vijojnë Manastiri, Tikveshi, ndërsa vizitohen edhe monumentet otomane në Maqedoni, si dhe kishat dhe manastiret.

“Turizmi në Ballkan do të jetë një degë kryesore në vendet e rajonit”

Duke folur për vizitën e turistëve të huaj në vendet dhe qytetet e rajonit, Kerim thekson se rritja e turistëve në Shkup është më i ulët në krahasim me rritjen e turistëve në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, për shkak se në këtë qytet këtë vit ka një dallim në rritje prej 100 për qind të turistëve krahasuar me tre vite më parë.

Këto trende, sipas tij, tregojnë se turizmi në vitet e ardhshme do të jetë një degë kryesore në vendet e rajonit.

Sa i përket vizitave të turistëve të huaj në rajon, Kerim vuri në dukje se këtë vit turistët turq në Serbi kanë shënuar një numër rekord. Ai shpjegon se Beogradi është destinacioni më i pëlqyeshëm dhe më i kërkuar, shkaku i marrëdhënieve të mira politike të Serbisë dhe Turqisë, por nga ana tjetër, nga Serbia në Turqi, po ashtu është rritur numri i turistëve.

“Ka rreth 180 mijë turistë turq që do ta vizitojnë Serbinë”, thotë Kerim.

“Turqia dhe Greqia destinacione kryesore të qytetarëve të Shqipërisë”

Në Shqipëri kohët e fundit ka një interes në rritje të qytetarëve për pushime, të cilat kryesisht bëhen gjatë sezonit të verës, por edhe gjatë fundjavave dhe për festat zyrtare. Qytetarët e Shqipërisë, për pushime preferojnë të udhëtojnë në disa desticacione, brenda apo edhe jashtë vendit.

Kreu i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), Kliton Gërxhani, për AA tha se nëse flitet për pushimet brenda vendit, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Shëngjini marrim pjesën kryesore të kërkesës në verë. Kurse jashtë shtetit, sipas tij, destinacionet kryesore të pushimeve verore janë Turqia dhe Greqia.

“Çmimet e rezervimeve variojnë në varësi të muajit, netëve të qëndrimit dhe nivelit të hoteleve, dhe një javë mund të fillojë nga 200 euro në Greqi apo 400 euro në Turqi deri në sa kane dëshirë klientët të paguajnë në varësi të luksit që kërkojnë”, thekson Gërxhani.

“Tregu kryesor për ardhjen e turistëve në Shqipëri mbetet ai shqipfolës”

Sipas tij, tregu kryesor për ardhjen e turistëve në Shqipëri mbetet ai shqipfolës, i Kosovës, Maqedonisë apo vendeve të tjera ku jetojnë bashkatdhetarët. “Nga vendet e huaja ka një rritje të tregut të Evropës Qendrore dhe Lindore për produktin e plazhit, si dhe interes në rritje e tregjeve të Evropës Perëndimore, SHBA-ve dhe Azisë së Largët për produktin e turizmit kulturor”, shprehet kryetari i ATOA-s.

Ai shton se në vend ka mangësi të kapaciteteve akomoduese, sidomos në zonën e plazheve, për të përballuar kërkesat në rritje, dhe shton se ky shqetësim është ngritur disa herë nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike.

“Për shqiparët nga Kosova plazhet e Shqipërinë më të preferuarat”

Kërkesat për pushime verore nga ana e qytetarëve të Kosovës në krahasim me vitin e kaluar janë në rritje e sipër. Kreu i Shoqatës Alternative të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, për AA bëri të ditur qytetarët e vendit kryesisht kanë tre destinacione kryesore të cilat i frekuentojnë, duke theksuar se bregdeti i Shqipërisë, është vend shumë i vizituar duke pasur parasysh koston dhe afërsinë me Kosovën.

Pjesa e Ulqinit në Mal të Zi, thotë Hoti, është një destinacion shumë me rëndësi të cilin e frekuentojnë kosovarët dhe shton se ka interesim të madh edhe për bregdetin turk me pjesën e Antalya-s dhe me pjesët e tjera të vendit.

Sa i përket çmimeve të aranzhmaneve, ai shpjegon se është një rritje relativisht e vogël në tregun e Shqipërisë duke pasur parasysh fluksin e madh të vizitorëve ndërkombëtarë për këtë shtet. Ndërsa çmimet për pushimet në tregun e Malit të Zi, siç thotë ai, janë të njëjtat si në vitet e kaluara.

Lidhur me tregun e Turqisë, Hoti bënë të ditur se sipas tur operatorëve në Kosovë ka një rritje rreth 15 deri në 20 për qind në raport me vitet e kaluara. Ai njofton aranzhmanet e pushimeve 7 netëshe bregdetin turk fillojnë nga 450 euro deri në 600 euro për person, duke llogaritur transportin, akomodimin dhe shpenzimet e tjera, por shton se ka edhe oferta me çmime më të lartë, varësisht të kërkesave të ndryshme të qytetarëve.

“Kosova më së shumti vizitohet nga qytetarët e Shqipërisë dhe Turqisë”

Ndërkaq, sa i përket turistëve që vizitojnë Kosovën, Hoti thotë se në krahasim me vitet e kaluar është në rritje. Edhe pse Kosova nuk ka bregdet, Hoti thotë se ky vend ka turizëm 12 muaj të vitit, duke përmendur potenciale të ndryshme qofshin ato kulturore, natyrore apo për aktivitete të të tjera të ndryshme.

Hoti shpjegon se më tepër turistë që vizitojnë Kosovën janë ata nga Shqipëria, por ekziston edhe një numër i konsiderueshëm i turistëve nga Turqia. Ai shton se ka edhe grupe më të vogla të ndryshme nga Gjermania, SHBA-të, Austria e Britania e Madhe që vizitojnë vendin.

Duke e përfshirë edhe diasporën kosovare që vijnë si turistë, Hoti bën të ditur se numri i vizitorëve gjatë vitit 2017 ishte nga 1.5 deri në 1.7 milionë, ndërsa për këtë vit shprehet optimist që numri i vizitorëve në Kosovë të rritet deri në 20 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test