Zhvillimi i agrobiznesit dhe turizmit malor, Vlahutin viziton Pukën

Turizëm

Zhvillimi i agrobiznesit dhe turizmit malor, Vlahutin viziton Pukën

Më: 26 qershor 2018 Në ora: 23:45
Nga vizita e Romana Vlahutin në Pukë

Pas ftesës që kryebashkiaku Gjonaj i bëri ambasadores së Bashkimit Europian gjatë takimit që patën në Gjegjan, diplomatja europiane, mbërriti sot në bashkinë e Pukës, ku u prit nga kryebashkiaku si dhe administrata e institucionit të qeverisjes vendore.

Gjatë takimit kryebashkiaku Gjonaj e konsideroi një respekt të veçantë vizitën e ambasadores Romana Vlahutin për të dytën herë brenda një periudhe të shkurtër, ku i kërkoi ndihmë për mbështetjen e projekteve që i japin hov zhvillimit të agrobiznesit dhe turizmit malor, gjë për të cilën diplomatja europiane tha se ky është një prioritet i delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Në vijim të kësaj vizite, ambasadorja shoqërohej edhe nga ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi dhe kryebashkiaku Gjonaj, ku zhvilluan një takim dhe me disa gra fermere në zonën e Qelzës, të cilat janë mbështetur me fondet e BE për ndërtimin e disa miniserrave që po japin frytet e veta që në vitin e parë të krijimit të tyre.

Ministri Peleshi premtoi krijimin e një logoje për prodhimin e produkteve në zonat malore, e cila do të krijojë lehtësi. Gratë i kërkuan Peleshit mbështetje me mjete të mekanizuara për të zhvilluar me tej nismën e tyre, ku morën dhe mbështetjen për të realizuar këtë kërkesë përmes një nisme personale të vetë ministrit.

Në kuadër të vizitës në Pukë ata zhvilluan edhe një takim në mjediset e Shoqatës “Agropuka”, ku u njohën nga drejtori i organizatës, Sabah Djaloshi me zhvillimin e aktivitetit të kësaj shoqate dhe ndihmën që kjo e fundit jep për fermerët.

Gjatë drekës së punës ministri dhe ambasadorja, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët dhe blegtorët e pranishëm, teksa shijonin prodhimet organike të Pukës.

Në përfundim të takimit, Romana Vlahutin zhvilloi një takim në mjediset e bashkisë Pukë me përfaqësues të shoqatave që kanë përfituar fonde nga Bashkimi Europian kundër dhunës në familje dhe në ndihmë të grave dhe vajzave. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat