Driloni, projekt për zhvillimin e perlës natyrore - Bota Sot
Driloni, projekt për zhvillimin e perlës natyrore

Turizëm

E martë, 14 gusht 2018

Driloni, projekt për zhvillimin e perlës natyrore

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 06:57
Driloni

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka shpallur konkursin ndërkombëtar për hartimin e një projekti arkitektonik dhe zhvillimor të zonës Drilon-Tushemisht, që konsiderohet me bukuri të pakrahasueshme natyrore pranë liqenit të Pogradecit.

Bledi Hoxha, koordinator i projektit në AADF, u shpreh në një intervistë për ATSH-në, se projekti shtrihet në një zonë 150 ha, që fillon në Drilon përpara Volorekës dhe përfundon në kodrën pas Tushemishtit, ndërsa në pjesën jugore ajo shtrihet deri në fshatit Gurras dhe në pjesën veriore në liqenin e Pogradecit.

Hoxha tha se, ajo që ne synojmë të arrijmë përmes këtij projekti, është krijimi i një plani të detajuar arkitektonik për mënyrën sesi do të zhvillohet zona Drilon-Tushemisht, që është njëherazi edhe zonë me rëndësi kombëtare.

“Në maj të këtij viti kemi hapur një konkurs ndërkombëtar, ku ftojmë të gjitha kompanitë që kanë eksperiencë të ngjashme në këtë fushë. Synimi është të përzgjedhim kompaninë më të mirë në mënyrë që vizioni, përgatitja dhe eksperienca të jenë të konsoliduara dhe në raste të tjera, të ngjashme me zonën Drilon –Tushemish”, theksoi ai.

Konkursi është i planifikuar në dy faza: faza e pare mbyllet në muajin qershor dhe në këtë fazë do të përzgjidhen 5 kompanitë më të mira, që do të konkurrojnë në fazën e dytë me projekt-ide dhe plane të detajuara për zonën e mbrojtur, në mënyrë që të krijohet ideja sa më e prekshme sesi do të shndërrohet kjo perlë e natyrës shqiptare.

Hoxha shpjegoi se, do të jetë një juri e përbërë nga ekspertë të zgjedhur vendas dhe të huaj që do të vlerësojë kompaninë më të mirë për realizimin e këtij projekti.

“Ndërsa në shtator përfundon faza e dytë ku kompania fituese do vlerësohet me çmimin e kontratës për zbatimin e projektit dhe në vitin 2019 do të kemi të gjithë projektin e detajuar gati për zbatim”, tha Hoxha.

Drilon-Tushemisht është në një hapësirë e vogël gjeografike ku ndërthuren me shumë hijeshi disa nga perlat e natyrës shqiptare si: burimet e Drilonit, liqeni i Ohrit, shtëpitë karakteristike të zonës, rrugë të ngushta kalimi dhe peizazhe piktoreske të cilat krijojnë një oaz të mrekullueshëm me mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit në zonë.

Pavarësisht mundësive të pasura natyrore që zona mund të ofrojë, potencialet e saj turistike janë ende të pazhvilluara. Sfida kryesore për zonën është mungesa e modeleve të personalizuara të turizmit dhe komercializimi i shërbimeve të tjera.

Për të kapërcyer këtë sfidë, AADF po punon për hartimin e një projekti që përfshin edhe planin arkitektonik dhe zhvillimor të zonës, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore të cilat deri tani kanë qenë pak ose aspak të shfrytëzuara.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test