Himara turistike, apel pushuesve për mirëmbajtjen e mjedisit

Turizëm

Himara turistike, apel pushuesve për mirëmbajtjen e mjedisit

Më: 28 maj 2018 Në ora: 11:33
Himara

Qyteti bregetar i Himarës, i cilësuar si një nga perlat e turizmit shqiptar, e ka nisur sezonin e ri turistik me ritme të larta përsa i përket numrit të turistëve dhe me një angazhim të madh të drejtuesve vendorë për mbajtjen pastër të ambienteve të tij.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i bën thirrje të gjithë turistëve dhe banorëve vendas për të mbajtur pastër Himarën, ndërsa ndotësit e ambientit do të përballen me ligjin.

“Kërkohet miqësisht një ndihmesë sado e vogël për të përballuar gjithë këtë fluks pushuesish që me këto ritme si ka nisur gjatë këtyre javëve mund të them me bindje se për Himarën do të jetë viti më i frekuentuar nga ana e pushuesve”, shprehet Goro.

Ai i bën apel pushuesve të mos lenë mbeturinat në vende jo të përshtatshme, për të mos u kthyer në problem si shëndetësor, por edhe në një imazhi jo të mirë të Himarës turistike.

Kryetari i bashkisë së Himarës Goro shpreh bindjen se do t’ja dalim të gjithë bashkë me kontributin e çmuar të gjithë qytetarëve.

Goro premton se bashkia do të vazhdojë të vendosë sa më shume pika grumbullimi për mbeturinat.

“Do të jemi më të shpejtë në këtë aksion për të mbajtur Himarën tonë të pastër, por pa ju është gjithçka në rrezik”, shprehet ai.

Goro bënë të ditur gjithashtu se “në numrin e telefonit “jeshil” që do të publikojmë së shpejti jeni të lutur të telefoni për çdo rast që konstatoni. Kundravajtësit e ligjit qofshin ato familjarë apo biznese do të penalizohen”.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët. Spilea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësorë. Po të largohesh disa dhjetëra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat natyrale.Në muajt e verës, Plazhet e Himarës mbipopullohen nga pushuesit.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike,monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat