Investimet në Jal, kthejnë shkëlqimin e humbur të perlës së Jonit

Turizëm

Investimet në Jal, kthejnë shkëlqimin e humbur të perlës së Jonit

Më: 20 maj 2018 Në ora: 07:00
Plazhi i Jalit

Plazhit të Jalit, rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Vuno, me shëtitoren e tij të rë, që është drejt përfundimit do t’i kthehet shkëlqimi i humbur për vite të tëra.

Falë investimit nga qeveria shqiptare në Jal, vijon puna për këtë projekt, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve për këtë sezon turistik.

Kryeministri Rama uron mirëmëngjes me pamje nga plazhi i Jalit, të cilin e konsideron një perlë të Jonit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të plazhit të bukur të Jalit mbrëmë, ku është drejt përfundimit një tjetër projekt i Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, që i kthen kësaj perle të Jonit shkëlqimin e humbur për vite të tëra mes ngrehinave të shëmtuara e kaosit të makinave aty ku sot ka marrë jetë një zonë këmbësore turistike, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Plazhi i Jalit është nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peizazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta.

Famën dhe emrin plazhi i Jalit e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve ’70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.

Bukuria e gjirit do t’ju bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur fotografi. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit të realizuara nga maja e kodrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat