Shkëmbi i Kavajës drejt transformimit shumëfunksional turistik

Turizëm

Shkëmbi i Kavajës drejt transformimit shumëfunksional turistik

Më: 20 maj 2018 Në ora: 06:51
Shkëmbi i Kavajës

Projekti për transformimin e zonës tek Shkëmbi i Kavajës, që gjendet afër plazhit të Durrës, synon rehabilitimin e rrugëve të brendshme dhe  rikualifikimin e hapësirave publikë të plazhit të kësaj zone, në ambiente shumëfunksionale turistike.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një fond prej 372.5 milionë lekë, ka nisur procedurat e prokurimit për tenderin e rikonstruksionit të plazhit te Shkëmbi i Kavajës.

Tematika e projektit që do të zbatohet ka në fokus katër stinët e vitit, me qëllim që zona të jetë funksionale gjatë gjithë vitit. Kështu, shëtitorja përgjatë plazhit është konceptuar të shtrohet me larmishmëri dekorimi, për të dhënë imazhin e një udhëtimi nëpër katër stinët e vitit, një shëtitje e cila në çdo ndryshim stine, ka një shesh.

Ndërkohë zona që ka një frekuentim të madh nga turistët gjatë stinës së verës, por edhe nga banorët e shumtë, aktualisht ka një rrjet rrugor, ku në pjesën më të madhe janë të pashtruara me asfalt dhe mungojnë trotuaret, do të rehabilitohet plotësisht.

Gjithashtu është parashikuar krijimi i hapësirave të rekreacionit dhe transformimi i hapësirave publike të përshtatshme për t’u përdorur nga banorët apo turistët.

Kështu, krahas asfaltimit dhe plotësimit me sinjalistikë rrugore dhe ndriçim, projekti do të fokusohet edhe në shtimin e hapësirave të gjelbra, parqeve dhe këndeve të lojërave.

Projekti parashikon punime edhe në rrjetin e tubacioneve dhe kanalizimeve.

Shkëmbi i Kavajës është shkëmb i cili ndodhet në afërsi të gjirit të Durrësit. Shkëmbi është 160 metra i gjerë dhe 560 metra i gjatë. Shkëmbi i Kavajës bën pjesë në monumentet natyrore të vendit tonë. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, fare pranë bregut të detit, me një lartësi që shkon deri në 105 metra mbi nivelin e detit. Që nga kohërat më të lashta e deri më sot, vendi ka qenë dhe është mjaft i njohur dhe mjaft frekuentueshëm nga vizitorë e pushues të shumtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat