Boboshtica në “100 fshatrat”, nxitje turizmit të qëndrueshëm

Turizëm

Boboshtica në “100 fshatrat”, nxitje turizmit të qëndrueshëm

Më: 6 maj 2018 Në ora: 13:53
Boboshtica

E njohur për objekte të shumta kulti, Boboshtica në Korçë, është një pikë referimi për turizmin e kultit dhe atë familjar.

Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, sjell në vëmendje resurset kryesore natyrore të kësaj zone, që e kanë përfshirë atë në projektin “100 fshatrat”.

Po ashtu, ai ndalet te investimet kryesore që do të ndërmerren në Boboshticë, të cilat pritet të shndërrojnë këtë zonë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, ndërsa pritet të zhvillojnë edhe ekonomitë lokale.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i rrugës Korçë- Ersekë, ku përfshihet edhe rruga që të çon në Boboshticë, sipas Filos, e bën këtë zonë lehtësisht të aksesueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.

Boboshtica në “100 fshatrat”, investime dhe zhvillim

Përmirësimi i aksesit dhe vendosja e sinjalistikës turistike për monumentet e kulturës, sipas Filos, janë ndër prioritetet kryesore të ndërhyrjeve në Boboshticë. Po ashtu, ai theksoi se, do të bëhet restaurimi i Monumenteve të Kulturës dhe rimodelimi i qendrës së fshatit Boboshticë.

Image

 

Rikonstruksioni i plotë i infrastrukturës rrugore, ku përfshihet rruga hyrëse për në fshatin Boboshticë dhe rruga për të shkuar tek Kisha e Shën Marisë do të zhvillojnë më tej kapacitetet akomoduese në këtë zonë duke i dhënë impuls turzimit, theksoi Filo.

Në kuadrin e ndërhyrjeve në infrastrukturë, në Boboshticë parashikohet të bëhet edhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës nga burgu i Drenovës deri në fshatin Boboshticë; ndërtimi i një kopshti për fëmijë; rikonstruksioni i qendrës shëndetësore; sistemimi i ujërave të zeza të burgut të Drenovës (përgjatë rrugës për në Boboshticë); rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit; ndërtimi i rrjetit KUZ dhe rikonstruksioni i rrjetit të furnizimit me energji elektrike.

Po ashtu, Kryetari i Bashkisë informoi se parashikohet ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse për aktivitete rekreative dhe sportive, promovimi i produkteve dhe ushqimeve tradicionale, ngritja e fermave turistike, promovimi i artizanatit dhe i festave lokale.

Image

Boboshtica, natyrë dhe traditë

Boboshtica dallohet për një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullore frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë medicinale.

Origjina e banorëve të hershëm është historikisht e vërtetuar dhe ata janë shqiptarë ose bullgarë të largët. Sot të gjithë banorët janë shqiptarë me origjinë arumune apo jo dhe të tjerë vendas.

Para viteve ’90, Bobshtica numëronte rreth 1400- 1500 banorë, ndërsa sot, si pasojë e emigracionit të shumë prej familjeve, jetojnë rreth 300 banorë.

Terreni i pasur të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje sportive, vrap, çiklizëm etj.

Natyra e mrekullueshme, festimet dhe prodhimi tradicional i rakisë së manit mundësojnë një ofertë të pasur me interes agro- turistik.

Kuzhina tradicionale e ofruar në një rrjet restorantesh të konsoliduara prej vitesh, i jep nxitje turizmit familjar.

Image

Për t’u vizituar në Boboshticë:

Monumente kulti:
– Kisha e Shën Marisë
– Kisha e Shën Jovanit
– Kisha e “Shën Dhimitrit”.
– Kisha e “Shën Kollit”.

Festa dhe frekuentimi turistik:
– Festa e Shën Marisë- 15 gusht
– Shën Pandelimoni, festë fetare, 27 korrik.
– Rosicat, festë tradicionale e besimtarëve ortodoksë që lidhet me ardhjen e verës, çeljen e luleve dhe gatuhet vetëm brumë. (Festohet ditën e tretë pas fluturimit në qiell të Krishtit).

Potenciali konkurues në produkte:
Rakia e manit (me vlera të shëndetshme, traditë e favorizuar edhe nga prania e drurëve të manit, unike ne Shqipëri).
Kuzhinë e larmishme (gatime tradicionale të mishit dhe të brumërave si lakrori me dy petë i pjekur në saç, liko të ndryshme, etj).
Artizanati dhe punimet e dorës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat