Gazetarja e Rai 3: Shqipëria surpriza që ofron gjithçka

Turizëm

Gazetarja e Rai 3: Shqipëria surpriza që ofron gjithçka

Më: 6 maj 2018 Në ora: 13:46

Shqipëria me bukuritë e saj, është një nga surprizat që gazetarja italiane Gloria Aura Bortolini, ka zbuluar në prag të nisjes së sezonit turistik 2018, pasi sipas saj, ofron gjithçka nga deti tek malet, historia dhe natyra.

Gazetare e emisionit “Kilimangiaro” në Raitre, Itali, Gloria, rrëfen në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, (ATSH), udhëtimin e parë në disa qytete të Shqipërisë.

“Kjo është hera e ime e parë në Shqipëri, por sigurisht nuk do të jetë e fundit, sepse më pëlqyen shumë vendet që vizitova dhe jam kureshtare të njoh edhe pjesën tjetër të vendit”, – shprehet Gloria.

Në një klasifikim të prezantuar në programin e saj televiziv Kilimangiaro, lidhur me top-listën e destinacioneve turistike, Shqipëria renditet e para me më shumë se 88% të prenotimeve.

Por, si përgjigjet Gloria kur e pyet nëse do e sugjeronte vendin tonë për ta vizituar këtë verë?

“Absolutisht po!”, – thotë ajo.

Image

Glorias i duhet të udhëtojë jo vetëm për punë, por kjo e fundit mbetet një nga pasionet e saj. Asaj i është dashur të prekë shumë vende të paeksploruara më parë ndërsa udhëtimin e fundit në Shqipëri e konsideron ndër më të veçantët.

“Ky ka qenë një nga udhëtimet që më ka bërë më shumë përshtypje për peizazhet, gastronominë dhe mikpritjen e shqiptarëve. Vizitova Tiranën, gjeta një qytet të pastër, të rregullt, të projektuar drejt së ardhmes, më pëlqen ekuilibri arkitekturor midis historisë dhe modernitetit, gjithashtu vlerësoj zgjerimin e rrugëve për këmbësorët dhe praninë e shumë kafeneve”, – tregon ajo.

Image

 

Mes qyteteve që gazetarja ka vizituar qëndron edhe Vlora.

“Më pëlqeu shumë bregu i detit, me shtegun e biçikletave, fushat sportive, restorantet dhe kafenetë. Vizitova edhe Muzeun e Pavarësisë dhe bashkinë e qytetit të Vlorës, që pret ekspozita të artistëve lokalë”, – thotë ajo.

Por, gjatë vizitës në Vlorë nuk mund të mungonte një vizitë në gadishullin e Karaburunit, ku edhe pse uji nuk është ende i ngrohtë, nuk e pengoi Glorian të lahej në ujin e kristaltë të detit Jon.

Image

“Në gadishullin e Karaburunit, që ishte i mrekullueshëm dhe me një det të bukur, bëmë një shëtitije me varkë edhe u lava, sepse deti ishte shumë i bukur edhe pse pak i ftohtë”, – shprehet Gloria.

Ajo tregon se ka vizituar edhe ishullin e Sazanit, të cilin e cilësoi shumë magjepsës ose siç e përkufizoi ndryshe ajo ”një zhytje në të kaluarën”. Pas Vlorës, Berati ishte qyteti i radhës për të.

“Në fund vizitova Beratin, i paprekshëm, dhe shkova për rafting në kanionin e Osumit, një përvojë shumë argëtuese dhe një vend magjik”. Ndërsa qyteti historik i Krujës i la mbresa gazetares lidhur me peizazhin pranë maleve dhe monumenteve të kulturës.

E pyetur sesi duket Shqipëria në sytë e një turisti italian, Gloria thotë se “Shqipëria është një nga surprizat, sepse ofron gjithçka, nga deti tek malet, histori dhe natyrë në një territor të vogël, është një vend i sigurtë, njerëzit janë shumë mikpritës dhe të sjellshëm dhe gastronomia është e shkëlqyer dhe kjo do të bëjë për vete pa dyshim italianët”.

Image

 

“Shqipëria është një vend i vogël si territor, por ka gjithçka, mund të bësh një udhëtim të ndryshëm, me aktivitete për të gjitha shijet. Shumë shqiptarë flasin italisht dhe gjej shumë ngjashmëri me kulturën italiane: mirësjelljen dhe mikpritjen e njerëzve, zakoni për të pirë një kafe në bar dhe të bisedosh, sensi i familjes dhe miqësia, solidariteti …”, – rrëfen ajo.

Gloria tregon se “… tani po publikoj këshilla dhe fotografi nga udhëtimi im në Shqipëri në ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’ dhe ndjekësit e mi janë shumë kureshtarë dhe duan të ikin këtë verë të vizitojnë Shqipërinë”./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat