Ujëvara e Sotirës, një mrekulli turistike

Turizëm

Ujëvara e Sotirës, një mrekulli turistike

Më: 29 prill 2018 Në ora: 11:56
Ujëvara e Sotirës

Një nga perlat e natyrës shqiptare që ka nisur të eksplorohet nga turistë vendas e të huaj, jo larg kryeqytetit është dhe ujëvara e Sotirës, ose currilat e Beckës.

Ajo ndodhet rreth 16 kilometra larg Gramshit, dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh më pak se një orë në këmbë.

Është një ecje që shërben si një lëvizje sportive dhe përballohet nga çdo moshë, sepse terreni nuk është shumë i thyer.

Kjo ujëvarë mjaft e bukur e ka marrë emrin Sotirë nga fshati ku edhe ndodhet ujëvara.

Ky fshat dikur ka qenë i banuar dhe ka pasur një popullsi të konsiderueshme deri në 120 shtëpi, ndërsa sot vetëm 20 prej tyre janë të banueshme.

Dikur kësaj ujëvare i kanë thënë Currilat e Beckës dhe ka qenë në administrim të rrethit të Beratit e quajnë si një lagje të fshatit Dardhë,ndërsa sot e ka Gramshi.

Dardharët e Beratit  e quajnë si ujëvarën e tyre, por kjo nuk ka shumë rëndësi.

Image

E rëndësishme është që ajo ka një bukuri të mahnitshme dhe pret çdo ditë vizitor.

Kurioziteti dhe reklamimi e ka bërë këtë peizazh natyror që fama e bukurisë të shkojë edhe përtej kufirit. Vijnë mjaft vizitorë të huaj.

Deri në Gramsh rruga është shumë e mirë dhe të shoqëron në shumicën e saj liqeni i bukur i krijuar nga hidrocentrali i Banjës.

Një rrugë e gjerë dhe me tabela orientuese që të ndihmojnë në lëvizjen drejt destinacionit. Gramshi, një qytet i vogël, i futur mes maleve nën këmbët e Tomorit, duket si i harruar, por në të vërtetë nuk është kështu.

Po të vështrosh kodrat dhe fshatrat rreth tij, do të shikosh  dorën e njeriut që i ka qëndisur ato me vreshta, pemë frutore, me prodhime bujqësore të gjitha të sistemuara bukur. Mes kodrave të buta shikon tufa dhensh apo dhish që kullosin në mjedisin e gjelbëruar.

Image

Nga Gramshi për në ujëvarë rruga është  mjaft e dëmtuar por kjo nuk I pengon vizitorët. Ujëvara  buron nga mali i Tomorit, nga faqja veri-lindore e tij.

Ka një bukuri mahnitëse që tërheq e bën kurioz shumë vizitorë nga Shqipëria por edhe nga bota, turistë që janë të dhënë pas natyrës.

Pothuajse çdo fundjavë drejt këtij spektakli natyror nisen agjenci turistike që krijojnë mundësinë dhe komoditetin për ta vizituar këtë ujëvarë./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat