Paralajmërohet themelimi i Departamentit të Turizmit

Turizëm

Paralajmërohet themelimi i Departamentit të Turizmit

Më: 14 mars 2018 Në ora: 16:13
Pamje nga takimi

Kategorizimi i objekteve akomoduese nuk do të duhej të shihej si një barrierë apo ngarkesë për bizneset, pasi nuk ka tarifë për t’u paguar dhe kjo do të sillte vetëm përfitime pasi ndikon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe në ngritjen e imazhit të hoteleve të Kosovës.

Kështu deklaroi zëvendësministri i MTI-së, Fadil Arifi, në takimin e Komisionit për Klasifikim dhe Kategorizim te Objekteve Hoteliere me  drejtorët e drejtorive të Turizmit, Zhvillimit Ekonomik dhe udhëheqësit e inspektorateve të komunave të: Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt dhe Gjakovës.

Në takim u diskutua rreth ngritjes dhe sensibilizimit të bizneseve të subjekteve hoteliere për klasifikimin dhe kategorizimin e objekteve akomoduese në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit për Klasifikim dhe Kategorizim te Objekteve Hoteliere, Hysen Sogojeva i njoftoi të pranishmit për  mundësitë  dhe format e kategorizimit të objekteve akomoduese duke u koordinuar edhe me institucionet lokale, në mënyrë që të rregullohet kjo fushë sipas standardeve ndërkombëtare, edhe pse kjo çështje është vullnetare dhe jo-obliguese.

Zëvendësministri Arifi kërkoi një bashkëpunim më të ngjeshur me të gjitha palët relevante për të ngritur numrin e aplikimeve për kategorizim të subjekteve akomoduese kudo nëpër Kosovë.

“Pasi turizmi  është një mundësi shumë e mirë për zhvillim ekonomik të vendit dhe përfitime nga palët e interesit, ne si MTI kemi marrë iniciativën për forcimin e kësaj fushe. Fillimisht do t’i rrisim kapacitetet, ku shumë shpejt do ta themelojmë Departamentin e Turizmit, ndërsa pak më vonë edhe Organizatën Kombëtare të Turizmit”, theksoi Arifi.

Ai shtoi se krahas kësaj  do ta rregullojnë bazën ligjore, pasi shërbimet turistike momentalisht nuk po ofrojnë cilësi dhe as siguri te turistët. 

Zv.ministri Arifi përmendi edhe iniciativën për koncept-dokumentin për përmirësimin e Ligjit të Turizmit,  por deri në fuqizimin e ligjit të ri ne jemi të interesuar që të intervenojmë aty ku ka mundësi edhe pa ndërhyrje në ligj.

Ai po ashtu tha se është shumë shqetësuese dukuria e “vetë kategorizimit” të objekteve akomoduese.

“Na shqetëson fakti se shumë hotele sot ekspozojnë yje të cilat janë ilegale, prandaj për këtë kemi nevojë për mobilizim të inspektorateve për të intervenuar në përmirësimin e gjendjes”, tha Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat