Turistët e vëzhgimit dhe të natyrës preferojnë Parkun Kombëtar të Divjakës

Turizëm

Turistët e vëzhgimit dhe të natyrës preferojnë Parkun Kombëtar të Divjakës

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 10:34
Divjaka

Këto ditë vere, turistët e vëzhgimit të natyrës e të shpendëve të rrallë kanë vizituar Parkun Kombëtar të Divjakës.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë apo dhe në ditë të zakonshme, me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që jetojnë e shumohen  në këtë park të mbrojtur më së miri.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm ai, janë edhe shpendë të tjerë të shumtë deri tek mjelmat ose flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, buajtë e zinj, si një specie që preku çastin e zhdukjes para disa viteve, por që falë kujdesit dhe përkushtimit  të blegtorëve vendas, mundi të shpëtonte si një  rracë  e rrallë e zonës. 

Tashmë vizitorët nuk janë kurioze të shlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.

Zbatimi i moratoriumit  që ndalon gjuetinë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër.

Por, një vlerësim optimal duhet bërë edhe për Drejtorinë Pyjore të Lushnjes dhe drejtorin e saj, Ardian Koçi, që kanë punuar me përkushtim për ta kthyer Parkun edhe në një atraksion turistik.

Pelikanët kaçurrelë që popullojnë lagunën e Karavastasë po tërheqin më në fund  edhe vëmendjen e mediave botërore dhe të turistëve të natyrës së egër.

Pelikanët kanë qenë të rrezikuar në të gjithë botën përgjatë dekadave të fundit për shkak të perceptimit se ata konkurojnë me njerëzit për peshkim nëpër lagunat e pasura, një perceptim ky që hidhet poshtë nga shkenca biologjike, sipas te ciles, llojet e peshqve të pëlqyer nga pelikanët janë të ndryshëm nga ata që peshkohen nga njerëzit.

Këta shpend të mëdhenj, krijojnë një emocion të veçantë te shikuesi kur ngrihen në fluturim.

Me përmasa nga 160 deri në 190 centimetra dhe me hapje krahësh mbi tre metra, ky është një nga zogjtë më të mëdhenj në botë.

Pelikanët shqiptarë ishin pothuajse drejt zhdukjes në vitet 1990, por janë rigjallëruar si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme të konservacionistëve për të shpëtuar grupimin e vogël që numëronte vetëm disa dhjetëra të tillë. 

Çdo fundjavë vizitorë të shumtë popullojnë parkun e Divjakës ku objekt bëhet vëzhgimi i shpendëve të shumtë e të veçantë që popullojnë këtë lagunë.

Mbase ka ardhur koha që Ministria e Turizmit të shohe edhe nga “turizmi i vëzhgimit”, si një aset tjetër në turizmin shqiptar dhe të investoje në ato parqe natyrore ku  ky turizëm ka premisë të zhvillohet.

Një vend me hapësira të mëdha natyrore dhe me një biodiversitet të veçantë, vendi ynë mund të bëhet mjaft tërheqës edhe për turizmin e vëzhgimit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat