Agjencitë turistike, të angazhuara në promovimin e turizmit vendas

Turizëm

Agjencitë turistike, të angazhuara në promovimin e turizmit vendas

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 10:00
Saranda

Një nga paketat turistike më të shitura këtë verë ka qenë  “Turi i Jugut”, pra paketa turistike që ju bën të shijoni bukuritë e pashoqe të vijës më të bukur bregdetare që kemi, asaj të Rivierës,e promovuar nga agjencitë tona turistike.

E kombinuar në mënyrë të përkryer dhe me elasticitet sipas dëshirave dhe mundësive të pushuesve, Riviera Grand Tour mund të shijohet në shumë mënyra, varet nga pëlqimi i grupit që e blen turin, duke zgjedhur të ecë në këmbë, me skafe, nga deti, nga toka me hiking, duke fjetur në kampingje me çadra ose në hotele luksoze.

Mundësia e pafundme e kombinimeve dhe e çmimit të paketës, ka bërë që shumë njerëz ta zgjedhin atë, sipas nivelit ekonomik dhe përshtatjes shoqërore.

Suksesi i këtij turi bëri që vitin e shkuar Revista Travel ta zgjidhte si turin më të bukur shqiptar, duke e vendosur në kopertinën e verës, përfaqësuar me Gjirin e Gramës, si një prej pikave më të bukura që vizitohen me këtë tur.

Mund të thuhet që Turi i Jugut ka ndikuar shumë në njohjen e Gjirit të Gramës, deri dje jo shumë i njohur dhe thuajse aspak i vizituar, si dhe në njohjen e plazheve të tjera të fshehta të Karaburunit.

Këtë verë turi sërish ka rezultuar më i pëlqyeri, duke mbajtur edhe këtë vit kurorën si turi më i bukur shqiptar.

Gjithçka që promovon turizmin shqiptar është pozitive dhe duhet të përgëzohet dhe jo vetëm për Turin e Jugut, por për atë që Agjencitë turistike, i kanë kthyer sytë në guidat turistike brenda Shqipërisë.

Këto agjenci po i ftojnë  shqiptarët në  turizmin  vendas, duke mos e lënë atë në duart e 10-15 %-ndëshit të turistëve të huaj apo gjysmës së turizmit patriotik të shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë. Shqipëria është e të gjithëve dhe meriton të njihet e të shijohet së pari nga  vetë shqipëtarët. E për këtë, një meritë të padiskutueshme kanë dhe agjencitë turistike në vend që me profesionalizmin e tyre po e bëjnë shumë mirë këtë sensibilizim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat