“Bukuroshja e fjetur” në Pejë, që pret të zgjohet nga turistët

Turizëm

“Bukuroshja e fjetur” në Pejë, që pret të zgjohet nga turistët

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 07:33
Shpella “Bukuroshja e fjetur”

Kur temperaturat kalojnë mbi 20 gradë celsius, ka një vend në Radac të Pejës, ku është ftohtë dhe duhet të visheni më trash. Nën sipërfaqen e Alpeve shqiptare fshihet një botë magjike me skulptura, të krijuara nga vetë natyra. Ajo është shpella e “Bukuroshes së fjetur”.

Një rrjetë e tuneleve, kanaleve, galerive dhe sallave, të gdhendura për mrekulli, nga forcat natyrale të ujit përgjatë shekujve, e krejt afër saj buron lumi i Drinit të Bardhë, në formë ujëvare, që jep një pamje madhështore.

Image
Burimi i Drinit te Bardhe

Kjo shpellë është e gjatë prej 2100 metra dhe hulumtimet ende vazhdojnë në të. Pjesa e cila do të jetë e qasshme për turistët është ndriçuar dhe në të janë punuar edhe shtigjet e ecjes brenda shpellës.

Që nga prilli deri në muajin tetor, prej orës 10:00 deri në 17:00, është e hapur për vizitorët, ndërsa për muajt tjerë, vetëm me rezervime. Nëse pyesni për çmimin, me vetëm 1 euro mund të njiheni nga afër me lashtësinë.

Arbërita Kollçaku, cicerone shpjegon se shpella është hapur për vizitorë vetëm dy muaj më parë.

Ajo tregon se stalaktitet dhe stalagmitet e shpellës kanë përbërje mermeri dhe guri gëlqeror, por që brenda saj ka shumë liqene.

Shpella e vjetër, mijëra vjet, është hulumtuar e tëra, por ende nuk është tërësisht e qasshme për vizitorët.
“Kjo shpellë është e dyta më e gjata në Kosovë. Është e hapur vetëm 300 metra për vizitorët dhe ka pesë liqene në të. Ekziston që nga koha e Neolitit”, thotë Kollçaku.

Kjo shpellë që po shndërrohet në një atraksion turistik, me shtrimin e shtegut pranë burimit të Drinit, që lehtëson rrugën dhe e nxjerr në pah shpellën, dikur të mbuluar dhe të padukshme.

Shpella “Bukuroshja e fjetur” dhe shumë të tjera, janë ndër më atraktivet në Pejë, në mesin e shpellave: Gryka e Madhe, Shpella e Mbretëreshës, ajo e Karamakazit, Demajve, Kallabës dhe Borës. Bazuar në gjurmët e gjetura në këto shpella, ato japin siguri në shfaqjen e njeriut të Paleolitit, ekzistimit në bazë të kushteve biologjike dhe ekonomike.

Rajoni i Pejës njihet për numrin e madh të shpellave, por edhe për speleologjia (hulumtimi i nëntokës dhe zbardhja e pasurive nëntokësore v.j) është shumë e zhvilluar.

Për vizitorët, hapja e shpellës “Bukuroshja e fjetur” është mundësuar me projektin e përbashkët të shoqatës së speleologëve “Aragonit” nga Peja dhe organizatës zvicerane “Swiss Contact”, e cila edhe e ka financuar këtë projekt të realizuar sipas standardeve evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat