Investimi në shkollën “Isa Boletini”, Veliaj: Klasat e reja i japin fund mësimit me dy turne

Tirana

Investimi në shkollën “Isa Boletini”, Veliaj: Klasat e reja i japin fund mësimit me dy turne

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 12:39
Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve në shkollën "Isa Boletini"

Nga nesër, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” do ta zhvillojnë mësimin vetëm me një turn dhe jo me dy, siç ka ndodhur deri vitin e kaluar. Investimi i Bashkisë së Tiranës ka bërë që shkolla në Kodër-Kamëz të ketë 17 klasa të reja, çka shmang përfundimisht mësimin me dy turne, një problem i hershëm për nxënësit, por edhe prindërit e kësaj zone.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve dhe shtoi se investimet e bashkisë në institucionet arsimore rrisin cilësinë e mësimdhënies për të gjithë nxënësit.

Ashtu si ‘Isa Boletini’ erdhi në minutën e fundit, teksa shpallej Pavarësia, edhe ne, në minutën e fundit jemi gati për të shpallur pavarësinë nga shkollat me dy turne, në Kodër-Kamëz. Sot, me 17 klasat e reja shkolla kalon me një turn, shpëtojmë nga klasat me dy turne, nga fëmijët që duhet të dalin vonë pasdite dhe të prishin gjithë ciklin biologjik, por edhe arsimor, duke iu përshtatur turneve të shkollës. Teksa hyjmë në këtë vit të ri shkollor, më vjen mirë që Kodër-Kamzës i është shtuar kjo stoli.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Ai theksoi se bashkia po vijon punën me të njëjtin përkushtim e cilësi, si në qendër edhe në periferi.

Fakti që punojmë me të njëjtën shpejtësi e logjikë, dhe me të njëjtën cilësi, si në Kodër-Kamëz, ashtu edhe në qendër të Tiranës, tregon se sa të përkushtuar jemi për fëmijët e qytetit. Nuk ka fare rëndësi nëse jemi demokratë apo socialistë, rëndësi ka që për fëmijët të jemi të gjithë njësoj, të gjithë në një zë, me një fuqi, për t’u siguruar që marrin arsim të shëndoshë e nesër të jenë qytetarë shumë më të denjë, ndoshta edhe se raca jonë, për Tiranën që sot është bërë e stërmadhe dhe që Kodër-Kamza duhet të jetë pjesë dinjitoze.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku solli në vëmendje se edhe në Kodër Kamëz investimet nisën me më të vegjlit, për të vijuar me të rriturit.

E filluam nga çerdhja, tani vijojmë me shkollën, do zgjidhim një ngërç që kemi me kopshtin dhe vitin tjetër, do të përgatitemi për një mega-investim në gjithë zonën e Kodër-Kamzës; është një bllok disa hektarë, me shumë rrugë dhe sheshe, sepse besoj që vetëm kur e mbyllim mandatin edhe me Kodër-Kamzën, të trajtuar njësoj si të gjitha njësitë e tjera, mund të quhet një Tiranë që ka ecur me të njëjtën shpejtësi dhe jo me dy shpejtësi, më ngadalë në periferi dhe më shpejt në qendër.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Ai ftoi nxënësit të mirëmbajnë mjediset e reja të shkollës, por edhe ato të rikonstruktuara, në mënyrë që bashkia të vijojë punën me të tjera investime.

Është investim nga më të mirët që kemi bërë, jo vetëm në cilësinë e materialeve, por edhe në teknologjinë që është përdorur, duke nisur nga ngrohja, nga fushat e terrenet sportive tek veshjet me kapotë. Nëse ruajmë këtë investim na jep mundësi që herën tjetër, jo vetëm të rregullojmë gjithë Kodër-Kamzën në infrastrukturë, por t’i kthehemi edhe pjesës së vjetër së shkollës, që të jetë në të njëjtin standard si pjesa e re.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Veliaj vlerësoi vendimin e qeverisë për të dhënë librat falas për katër vitet e para të shkollës.

Librat falas, terrenet sportive, shkollë e re, tani na ngelen vetëm dhjetat dhe jam i sigurt që të gjithë djemtë e vajzat e Kodër-Kamzës do na bëjnë të ndihemi krenarë, që ia vlejti investimi, kur të shohim dëftesat e tyre në fund të vitit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat