Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, gjatë fjalës së tij për besimtarët myslimanë në sheshin “Skënderbej” me rastin e festës së Bajramit, ka dashur të shmangë debatet e një viti më parë, rreth figurës së Skënderbeut, busti i të cilit u tha se u anashkalua.
Gurra në fund të fjalimit ka shpalosur flamurin shqiptar, duke thënë se ai na bashkon të gjithëve.
“Është simboli që i ka përbashkuar shqiptarët në Veri e Jug, Lindje e Perëndim.
Është verdikti i dijetarëve tanë të çmuar e të papërsëritshëm.
Na ka bashkuar myslimanë e të krishterë për të jetuar në paqe në një atdhe të përbashkët, ku secili gjen Zotin në mënyrën më të drejtë”, tha ai, që ka përmendur edhe disa figura katolike, si Gjergj Fishta.
“Historia e këtij vendi është shkruar me gjakun e djersën e Haxhi Vebi Dibrës, e At Gjergj Fishtës, e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve”, u shpreh Gurra.
Ai tha se shqiptarët, myslimanë a të krishterë qofshin, kanë nevojë për dashuri.