“Tmerr” në urbanët e Tiranës, qytetarët: Ka vonesa dhe nuk ndizen kondicionerët

Tirana

“Tmerr” në urbanët e Tiranës, qytetarët: Ka vonesa dhe nuk ndizen kondicionerët

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 18:01
Ilustrim

Rritja e çmimit të biletës së urbaneve me 10 lekë prej dy vite e gjysmë, nuk e ka bërë më të lehtë udhëtimin e qytetarëve.

Nëse zgjedh transportin publik për të shkuar nga një destinacion në tjetrin, duhet të presësh gjatë në radhë, pasi urbanët nuk respektojnë oraret e vendosura nga Bashkia e Tiranës që variojnë sipas linjave nga 3-8 minuta.

Qytetari: Kushtet e urbanëve janë skandaloze, sidomos urbanët e Qytetit Studenti që vijnë një herë në gjysmë ore dhe mbushen plotë.

Qytetari: Ke një autobus çdo 15-20 minuta.

Ardhja e verës, rikthen edhe shqetësimin e kondicionerëve, ku operatorët privatë për të mos shpenzuar më tepër i mbajnë ato të fikur.

Në mungesë së kondicionerëve udhëtarët kanë zgjedhur alternative të tjera për t`ju shpëtuar temperaturave të larta.

As gjobat e vendosura nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve nuk kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e operatorëve privatë.

Inspektori, Estref Agalliu, thotë se për një muaji e gjysmë janë vendosur në total 117 gjoba, vlera maksimale e të cilave shkon deri në 5 mijë lekë.

Estref Agalliu: Problemet janë të shumta në urbanet e kryeqytetit, sidomos për problemet e vonesave, mosrealizimit të frekuencave, pastërtisë së mjeteve. Gjatë muajit maj dhe 10 ditshit të parë të qershorit janë vendosur 94 masa administrative gjoba vetëm për problemin e kondicionimit.

Por cilat janë linjat më problematike në kryeqytet?

Estref Agalliu: Linjat që kanë fluksin më të madh të udhëtarëve janë linjat më problematike, sidomos linja e Tiranës së Re, etj.

Gjobat e vendosura nga inspektorët konvertohen në pikë dhe është Drejtoria e Transportit në Bashkinë Tiranë ajo që vendosë për heqjen ose jo të këtyre pikëve që mund të rrezikojë edhe licencën.

Në Tiranë operojnë 16 linja të transportit urban, të drejtuara nga 8 operatorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat