Përfundon blloku i banimit te Ambasada Amerikane, Veliaj: Në 3 vite, Tirana ka ecur me të pestin

Tirana

Përfundon blloku i banimit te Ambasada Amerikane, Veliaj: Në 3 vite, Tirana ka ecur me të pestin

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 13:23
Pamje nga Tirana

Blloku i banimit që kufizohet nga rrugët “Stavro Vinjau”, “Qamil Guranjaku” dhe “Pjetër Budi” në Njësinë 2, pranë Ambasadës Amerikane, nuk kishte njohur investime prej gati 20 viteshdhe sot me një sipërfaqe 24 mijë m2 është transformuar tërësisht.

“Kjo njihet si lagja e Ambasadës Amerikane, por vetëm emrin ka të tillë sepse nuk i ngjan fare Amerikës. Nga Amerika e ndante vetëm një mur, por këtej ishte Kandahar, andej Amerikë. Nuk po them se sot është bërë Amerikë, por kemi një hapësirë shumë herë më qytetare. Fakti që njerëzit thonë: Po, këto i bëri bashkia, ama unë mbolla një lule, një pemë, dhashë pak hapësirë, kontribuova me pak punë, më bën të ndihem shumë krenar që i shërbej një qyteti që ka kaq shumë solidaritet. Pavarësisht numrit të madh të problemeve, ky qytet mbrun një ndjenjë familjare; pra sillemi si një familje, kur vjen puna tek interesi i përbashkët”, u shpreh Veliaj.

Ai lajmëroi se puna për transformimin e kësaj lagje do të vijojë edhe me disa blloqe të tjera banimi, që shtrihen përgjatë rrugës së “Elbasanit” dhe Rr. “Pjetër Budi”. Ndërkaq, paralelisht do të vijojë rikonstruksioni i fasadave të pallateve. “Do të vazhdojmë edhe në lagjen tjetër, që është investim akoma më i madh, nga Rr. “Budi”, shkolla “Labinoti” dhe gjithë blloku i kësaj mëhalle. Njësia 2 është e madhe në popullsi sa ndoshta qyteti i dytë dhe i tretë më i madh i Shqipërisë. Pra, nëse do të kishte një qytet të dytë mbas Tiranës do të ishte Njësia 2 dhe Njësia 5. Ndaj meriton që të dalë në dritë!”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku falenderoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin që treguan banorët e zonës, të cilët mundësuan realizimin e këtij projekti sipas standardeve. Ai shtoi se kur mbeten edhe pak ditë nga 3-vjetori i marrjes së mandatit si kryetar i Bashkisë së Tiranës, qyteti ka pësuar ndryshime të prekshme, konkrete, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet.

“Për pak ditë mbushim 3 vjet nga fillimi i punës në Bashkinë e Tiranës dhe më vjen mirë që teksa kthejmë kokën mbrapa, kuptojmë se kemi ecur me marshin e pestë. Fakti që banorët jo vetëm që e presin me entuziazëm, por edhe vetë kontribuojnë, do të thotë që investimi më i madh në këto tre vjet nuk ka qenë llaçi, tullat, asfalti, pemët apo korsitë, por mentaliteti. Kjo është ndoshta historia më e madhe e suksesit të këtyre tre viteve punë në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat