Projekti i “Piramidës”, Rama: Një ëndërr e vjetër e imja

Tirana

Projekti i “Piramidës”, Rama: Një ëndërr e vjetër e imja

Më: 16 maj 2018 Në ora: 15:07
Edi Rama

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Michael D. Granoff, Drejtor i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, morën pjesë në prezantimin e projektit transformues të Piramidës në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës sipas modelit “TUMO”.

Kryeministri Rama vlerësoi kryebashkiakut Veliaj për zgjimin e Tiranës nga gjumi dhe për transformimin e saj në këto vite.

“Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve dhe me Erionin kemi diskutuar që në fillim kur ai mori mandatin për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. Vazhdimisht pyetja ishte çfarë mund të ishte që mund ta mbante godinën gjallë? Është e vërtetë që në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet t’u shkonte fëmijëve dhe të rinjve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi projektin për rivitalizimin e Piramidës dhe projektin Tumo, si një nga projektet më të bukua që ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë duke shkuar “përtej ëndrrës time më të bukur”.

“Erioni kërkonte për ta kthyer këtë në një qëndër për këtë pjesën e të rinjve trendi të Tiranës, një komunitet gjithsesi minoritar brenda komunitetit të madh të të rinjve të Tiranës. Gjë që mund të rrezikonte që ta kthente në një qendër rinore të ardhur me sforcim në kohë. Ndërkohë që unë i thosha fëmijët, fëmijët, fëmijët. Sigurisht besoj se kjo është më shumë merita e Zahos se e imja. Dhe e mbaj mend shumë mirë një ditë kur Erioni më telefonoi i ekzaltuar si gjithmonë në fakt, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues me pasoja për brezat dhe më tha: “E gjetëm lal. U zgjidh kjo punë”. Më foli për Tumën dhe është diçka sinqerisht përtej ëndrrës sime më të bukur”, nënvizoi ai, teksa shtoi se ky projekt për herë të parë arrin që të bëjë bashkë të fëmijët dhe të rinjtë me teknologjinë. ““Është diçka e jashtëzakonshme dhe unë dua t’i komplimentoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre sepse besoj që është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjera që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën, fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Veliaj.

Rama deklaroi se kjo nismë shënon një tjetër hap të madh në rrugën e vështirë midis të bukurës dhe shëmtirës në Tiranë. “Më vjen mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish që jam i bindur do të na garantojë këtë projekt dhe më vjen shumë mirë që është një tjetër hap konkret i madh që do të bëhet në rrugën shumë të vështirë mes së bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë sepse unë e kam shumë problem, kur ndeshem me njerëz që thonë s’kemi bukë, ç’na duhet sheshi, ç’na duhet pema, , ne na duhet buka, na duhet uji, vaji . Sigurisht patjetër, por një gjë e di me siguri dhe besoj që ka vende të bukura në botë që s’janë të pasura, por nuk ekziston një vend i shëmtuar që nuk është i varfër. Është një gjë e jashtëzakonshme për mua që ky vend i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë të kthehet në një destinacion energjik i bukurisë sepse potenciali është i gjithi këtu, sfida për të përdorur të kaluarën si kalë për të ardhmen, këtu është e zgjidhur”, deklaroi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat