Tirana çon në Bienalen e Venecias një copëz të historisë shqiptare

Tirana

Tirana çon në Bienalen e Venecias një copëz të historisë shqiptare

Më: 23 prill 2018 Në ora: 14:26
Tirana çon në Bienalen e Venecias një copëz të historisë shqiptare

Një pjesë e mjedisit urban të Tiranës do të shkojë në Bienalen e Venecias.

Në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në Tiranë, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmëritë e larta për pavionin shqiptar. Ai u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë. “Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt do na bëjnë shumë krenar”, nënvizoi ai.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale jo vetëm sjell një ide, por mbi të gjitha qytetari.

“Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki dhe Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse”. 

 Seria e dyerve e instaluar në ‘Hapësirën Zero’ linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prezenca e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishëm kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit. Pasuri e një kulture antike e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapësira Zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. z.tosku./Atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat