Mësim dhe ushqim në klasë, nis nga shkollat e Tiranës projekti pilot - Bota Sot
Mësim dhe ushqim në klasë, nis nga shkollat e Tiranës projekti pilot

Tirana

E hënë, 23 korrik 2018

Mësim dhe ushqim në klasë, nis nga shkollat e Tiranës projekti pilot

Më: 5 mars 2018 Në ora: 15:55
Shkolla Ardian Klosi

Në shkollën “Ardian Klosi” mësimi fillon në orën 8.00 të mëngjesit. Nxënësit e ciklit fillor e mbarojnë mësimin në orën 11.30, ndërsa në orën 12.00 përgatiten për të ngrënë drekën, që e kanë marrë me vete nga shtëpia.

Por, jo të gjithë nxënësit e marrin bukën me vete. Fëmijëve që i kanë shtëpitë afër shkollës, ua sjellin ushqimin të ngrohtë prindërit.

60 minuta pasi kanë ngrënë vaktin e drekës nxënësit lajnë duart dhe i drejtohen klubeve të artit ose të sportit, për t’u rikthyer në klasë 45 minuta më vonë, këtë herë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Si është më mirë ti bësh detyrat në shtëpi apo në shkollë?
“Në shkollë sepse kam qejf. Më pëlqen kur i bëj detyrat këtu, në shkollë, është më mirë”, thotë një nxënës.

“Në shkollë sepse në shtëpi kam një vëlla që nuk më le t’i bëj”, thotë një tjetër.

Rreth orës 15.00 prindërit shkojnë të marrin fëmijët në shkollë. Po çfarë mendojnë ata për nismën për të bërë detyrat në shkollë?

“Në shtëpi mezi shtrohen, edhe kohën do e harxhosh duke i thënë ulu bëj detyrat, bëj këtë bëj atë”, thotë një prind.

“Shumë mirë se mësuesja i ndihmon shumë, ne nuk jemi aq të afta sa ta ndihmojmë fëmijën. jam shumë e kënaqur”, shprehet një tjetër.

Por, ndërsa prindërit e shkollës “Ardian Klosi” ndihen më të lehtësuar nga kjo përgjegjësi, mësuesve u duhet të punojnë jashtë orarit.

“Ngarkesë është sepse ne punojmë më shumë se orari tjetër, por tani i kemi të gjithë fëmijët me detyra. Edhe ata fëmijë që kishin vështirësi tani ecin me të tjerët, ndihen më mirë dhe vijnë të kënaqur ditën e nesërme. Veç kësaj është edhe pjesa e pagesës. Për këto orë jashtë orarit ne paguhemi më shumë”, thotë mësuesja.

“Ardian Klosi” është vetëm një nga shkollat në Tiranë, ku po pilotohet nisma më e re e bashkisë së Tiranës dhe ministrisë së Arsimit “Të bëjmë detyrat në shkollë”, pasi në gjithë vendin këtë praktikë po e ndjekin 20 shkolla gjithsej, në Korçë, Elbasan, Lezhë dhe Fier.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test