Veliaj: Autobuzë elektrikë për linjën Tiranë- Rinas

Tirana

Veliaj: Autobuzë elektrikë për linjën Tiranë- Rinas

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 13:20
Veliaj

Pas linjës së gjelbër, me autobusë elektrikë, e cila do të funksionojë shumë shpejt brenda qytetit, edhe linja Tiranë-Rinas, për në aeroportin “Nënë Tereza”, do të jetë tërësisht me autobusë elektrikë.

Bashkia e Tiranës ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e aeroportit për të mundësuar një linjë transporti publik me autobusë të gjelbër, që mbrojnë mjedisin dhe rrisin cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i kanë dhuruar Bashkisë së Tiranës dy automjete të reja për heqjen e mbetjeve dhe pastrimin e qytetit, si dhe iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve.

“Kemi filluar një diskutim me aeroportin e Tiranës, për të pasur një linjë autobusësh elektrikë nga qendra deri në Rinas, e për t’u siguruar që të ulim ndotjen në mjedis. Jemi duke folur edhe me kolegët kinezë; Kina sot është avangardë në prodhimin e autobusëve elektrikë dhe mezi pres që shumë shpejt, brenda këtij viti, për ata që do të udhëtojnë nga Tirana në Rinas të kenë mundësi ta bëjnë këtë duke shkaktuar zero ndotje”, tha Veliaj.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është shumë i lumtur që po kontribuon me dhurimin e dy kamionëve, që shpresoj do ndihmojnë në pastrimin e qytetit dhe gjithashtu në mbjelljen e 100 pemëve. Është minimumi që duhet të bëjë çdo biznes, por në të njëjtën kohë, edhe çdo qytetar, që të japë një kontribut sado të vogël për pastrimin e qytetit”- tha Drejtoresha e Komunikimit e Aeroportit Ndërkombëtarë “Nënë Tereza”, Arlinda Çausholli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat