“Jam nëndrejtor i ALUIZNI-t”, skema si u zhvatën katër persona

Tirana

“Jam nëndrejtor i ALUIZNI-t”, skema si u zhvatën katër persona

Më: 22 janar 2018 Në ora: 21:46
Gjykata e Tiranës

Një person është dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u provua se ka mashtruar katër persona duke u hequr si zyrtar i ALUIZNIt. 

Bëhet fjalë për shtetasin Artan Laçi, i shpallur fajtor për veprën penale të “mashtrimit” më shumë se një herë dhe “mashtrimit me pasoja të rënda”. Sipas dosjes hetimore, i pari që ka rënë në grackë ka qenë shtetasi Xh.K. i cili ka takuar përmes shtetasit I.T. të pandehurin, që u është prezantuar si nëndrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t.

Viktima e parë i ka kërkuar ndihmë për të legalizuar një banesë dhe ai fillimisht i ka marrë 60 mijë lekë të rinj për të bërë pagesat përkatëse. Pas 20 ditësh, Laçi i ka marrë edhe 88 mijë lekë të tjera kallëzuesit. Në total, kallëzuesi i ka dhënë Laçit 320 mijë lekë të rinj dhe ka zbuluar skemën vetëm kur ka pyetur për Laçin pranë ALUIZNI-t. Po kështu, edhe shtetasit I.T. dhe L.S. kanë kallëzuar Laçin se janë mashtruar në të njëjtën mënyrë,- shkruan Panorama.

Ai u është prezantuar si nëndrejtor i ALUIZNI-t dhe u ka marrë përkatësisht 3400 euro dhe 170 mijë lekë shtetasit I.T. dhe 170 mijë lekë shtetasit L.S. Por nuk mbaron këtu historia. Edhe një shtetase ka rënë pre e mashtrimit nga Laçi. Ajo është Sh.M., e cila ka kallëzuar Laçin se i është prezantuar si punonjës i INUV që kishte njohje tek ALUIZNI.

Ai i ka premtuar shtetases së më- sipërme dhe bashkëshortit të saj se do t’i siguronte lejen e ndërtimit të banesës së tyre si dhe do të ndiqte procedurat e pronësisë së një toke të ndodhur në Golem të Kavajës. Sh.M. ka kallëzuar se Artan Laçi i ka marrë në total 5.8 milionë lekë të rinj dhe e ka mashtruar.

Gjykata në përfundim e dënoi me 7 vjet burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe 6 vjet burg për “mashtrim” të kryer më shumë se një herë. Në përfundim, ai dënohet me 5 vjet burgim, pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat