Ndryshon shërbimi mjekësor në Tiranë, vizita te specialisti do planifikohet online

Tirana

Ndryshon shërbimi mjekësor në Tiranë, vizita te specialisti do planifikohet online

Më: 8 janar 2018 Në ora: 14:52
QSUT, Tiranë

Shërbimi mjekësor në kryeqytet ka filluar të ndryshojë. Sipas sistemit të ri, vizita tek mjeku specialist do të bëhet me planifikim online. Këtë e ka njoftuar kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në Qendrën e re Shëndetësore në Laprakë. Sipas kryeministrit Rama, sistemi i referimit elektronik për shërbimin te mjeku specialist lehtëson shërbimin nga burokracitë.

Edhe në këtë qendër, sikurse në 36 qendrat shëndetësore të Tiranës dhe rrethinave, si dhe në 4 poliklinikat e specialiteteve në Tiranë, ka nisur të funksionojë ky sistem i ri, i cili mundëson që vizita te mjeku specialist të rezervohet online për pacientin nga mjeku i familjes dhe nuk do të jetë më e nevojshme që pacienti të sorollatet me letra në dorë e vula pa fund për të kryer një vizitë të specializuar.

Ogerta Manastriliu: Në të 36 qendrat shëndetësore në Tiranë edhe në 4 poliklinikat e specialiteteve për herë të parë kemi përfshirë një sistem të ri, referimin elektronik dhe ekzaminimin elektronik. Tani qytetarët shmangin radhët e gjata të pritjes te mjeku specialist duke vendosur nëpërmjet sistemit elektronik orën, datën e vizitës dhe sigurisht ndihmon mjekët për të pasur aktivimin e të gjithë diagnozës së pacientit dhe shërbimet që ofron.

Mjeke: Pacienti paraqitet me kartën e shëndetit. Në kartën e shëndetit është e shkruar ID, menjëherë fitet ne sistem ID, në momentin që futet ID dalin të dhënat e pacientit. Shkruajnë të gjitha ankesat e pacientit, institucionin në të cilën zgjidhet, është poliklinika, në rastin tonë e specialiteteve Nr. 3, zgjidhet specialiteti aerologu, pyetet pacienti për ditën dhe orën kur do pacienti. Në këtë rast, datën e nesërme dhe fashën 08:00-10:00.

Ministrja Manastirliu: Ndërkohë ky rezervim mund të bëhet direkt në portalin E-Albania për të gjithë qytetarët e interesuar për të lënë një takim me mjekun specialist. Ndërkohë në bazë të sistemit të referimit mjeku i familjes mund të kryejë llogari të pacienteve këtë rezervim online.

Investimet në këtë sektor synojnë përmirësimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore, pasi kjo “është parësore për ofrimin e shërbimit me standardet që meritojnë qytetarët”.

Ministrja Manastirliu: Ne kemi filluar programin e investimit në 300 Qendra Shëndetësore në 4 vite. Këtë vit fillojmë 80 qendrat e para në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që Qendrat Shëndetësore, që janë dhe porta e parë e shërbimit për qytetarët, të kenë standarde dhe kushte sa më të mira për të ofruar sigurisht dhe një gamë dhe larmi shërbimesh për pacientet dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama: Është e vetmja rrugë që të lehtësohet i gjithë shërbimi në spitale dhe që të ndahet shërbimi parësor me nevojat e menjëhershme të njerëzve me shërbim më të specializuar pastaj në qendrat e mëdha spitalore, se ndryshe do ishte e pamundur që të bëhet edhe njëra dhe tjetra dhe s’bëhet tamam as njëra as tjetra. 300 do bëjmë në këto 4 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat