“Përmbytet” Gjykata e Tiranës, mbi 600 çështje të mbartura nga viti 2017 - Bota Sot
“Përmbytet” Gjykata e Tiranës, mbi 600 çështje të mbartura nga viti 2017

Tirana

E premte, 23 shkurt 2018

“Përmbytet” Gjykata e Tiranës, mbi 600 çështje të mbartura nga viti 2017

Më: 6 janar 2018 Në ora: 08:44
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë

Edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është gjykata më e madhe në vend, fluksi i çështjeve për një vit, bën që një pjesë e dosjeve të mbarten në vitin pasardhës. Kështu ka ndodhur edhe sivjet ku vetëm për çështjet penale janë mbartur nga viti i kaluar mbi 600 dosje. Fluksi i madh i çështjeve penale që gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës bën që për çdo fund viti një pjesë e çështjeve të mbarten në vitin pasardhës. Megjithatë ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se numri i dosjeve të mbartura nga viti në vit ka ardhur duke u zvogëluar, nga mbi 2 mijë dikur, në disa qindra sivjet. Por gjithsesi, mbartja e dosjeve nga një viti i kaluar, bën që për momentin në Gjykatën e Tiranës të mos hidhet short për të përcaktuar gjyqtarë për çështjet e reja të këtij viti. Teksa vitin e kaluar Gjykata e Tiranës shqyrtoi gjithsej 2387 çështje penale, nga të cilat 366 nuk përfunduan brenda vitit, e njëjta situatë paraqitet edhe për kundërvajtjet penale.

Sidoqoftë gjatë vitit 2017, gjykata shqyrtoi 1711 çështje, nga të cilat 245 prej tyre janë mbartur për këtë vit. Bëjmë me dije se nga dosjet penale numrin më të madh të çështjeve të mbartura e mbajnë ato çështje që kanë shënuar edhe numrin më të madh të procedimeve, dhuna në familje, vjedhja dhe ndërtimet pa leje. Ndërsa për kundërvajtjet penale numrin më të madh të çështjeve të mbartura e zënë ato për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Nga ana tjetër, bëjmë me dije se pak muaj më parë, një skandal është zbuluar në Gjykatën e Tiranës, ku rreth 300 dosje të viteve nga 2008-2015 nuk i janë dorëzuar për rekurs Gjykatës së Lartë. Skandali është zbuluar, teksa një pjesë e dosjeve po s’postoheshin për në magazinat në Lundër ku dhe do të arkivoheshin. Bëhet fjalë për rreth 299 dosje civile dhe 1 penale që i përkasin viteve 2008-2015 ndaj të cilave është ushtruar rekurs.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test