Plagosja e policit, i thanë ‘spiun’ para se ta qëllonin. A po fshihen shkaqet e krimit?

Tirana

Plagosja e policit, i thanë ‘spiun’ para se ta qëllonin. A po fshihen shkaqet e krimit?

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 21:28
Autori i dyshuar i plagosjes është Daniel Manushi.

Zbulohet dinamika e plagosjes së policit të komisariatit nr 1 në Tiranë, Ermal Bregu, mbrëmjen e së martës në zonën e njohur si “Parku” në kryeqytet. Autori i dyshuar i plagosjes është Daniel Manushi.

23-vjeçari është shpallur në kërkim bashkë me një shokun e tij i cili akuzohet si bashkëpunëtor.

I riu figuron kontigjent kriminal në skedarët e policisë së Tiranës. Manushi, me nënshtetësi gjermane njihej si problematik në zonë. 2 ditë përpara ngjarjes ai ishte përplasur me efektivin e policisë që banon në atë zonë.

Sipas një kronike të transmetuar nga “Tv Klan”, efektivi 33-vjeçar në momentin e ngjarjes ka qenë jashtë orarit të shërbimit.

Ai ka hyrë në një nga lokalet e zonës ku është përballur sërish me Manushin. Ai e ka fyer duke e thirrur “spiun” për shkak të detyrës që ka.

Mes tyre ka nisur fillimisht një përballje verbale dhe më pas fizike që ka vijuar në rrugë. Në një moment 23-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka vënë në kokë policit.

Ai e ka shmangur drejtimin e armës që është shkrehur 2 herë. Efektivi i policisë u plagos në dorë dhe në bark, por pas transportit në spital është jashtë rrezikut për jetën. 2 të rinjtë janë shpallur në kërkim dhe nuk gjenden prej mbrëmjes së të martës.

Kreu i Drejtorisë së Policisë së Tiranës Ardi Veliu pohoi mbrëmjen e djeshme se plagosja e efektivit të Policisë Ermal Bregu nuk ka lidhje me detyrën. Por, sipas grupit hetimor konflikti mes efektivit dhe dy personave në kërkim ka nisur pikërisht për një ofendim lëshuar në adresë të Bregut pikërisht për shkak të profesionit të këtij të fundit.

Nga vendi i ngjarjes, pasi dha deklaratën për gazetarët lidhur me ngjarjen, Veliu pranoi nga ata vetëm dy pyetje.

E para ishte: A ka lidhje ngjarja me detyrën si efektiv policie.

Kreu i Policisë së Tiranës iu përgjigj prerë: Jo nuk ka lidhje me detyrën dhe jemi shumë afër zbardhjes.

Teksa u largohej mikrofonave drejtuar drejt tij, një nga gazetaret e pyet: Mendoni se është konflikt çasti. Dhe Veliu, kthehet për një moment e thotë: Po.

Por, sipas hetimeve të deritanishme të grupit hetimor, konflikti mes Bregut dhe dy personave tashmë në kërkim ka lindur pasi ata e kanë quajtur Bregun “spiun”, për shkak të profesionit të tij si efektiv policie.

Kjo ka qenë pikënisja e një debati të fortë mes tyre që ka vijuar në rrugë. Aty 23-vjeçari Daniel Manushi ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka vënë në kokë efektivit të policisë, por ky i fundit ka reaguar duke shmangur drejtimin armës e cila u shkrep dy herë.

Polici mori një plagë në dorë dhe një në bark.

Burime nga grupi hetimor kanë dyshime se efektivi i plagosur bashkëpunonte me persona me precedentë penale, duke iu siguruar informacione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat