“Tirana Ime” 11 mijë raportime nga qytetarët, tashmë edhe parkimin me SMS

Tirana

“Tirana Ime” 11 mijë raportime nga qytetarët, tashmë edhe parkimin me SMS

Më: 6 maj 2017 Në ora: 12:34
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Tirana po i afrohet çdo ditë e më shumë modelit të një qyteti “Smart”. Aplikacioni “Tirana ime” do të pasurohet me shërbime të reja, mes të cilave edhe me atë të parkimit me SMS, me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në 1 vjetorin e krijimit të aplikacionit “Tirana Ime”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky mjet në duart e qytetarëve ka rezultuar i suksesshëm në përmirësimin e qytetit dhe në një vit ka pasur 11 mijë raportime, të cilat kanë marrë përgjigje.

Ai theksoi se për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” është shtuar edhe opsioni i parkimit me SMS.

“Për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” kemi shtuar opsionin e parkimit me SMS, ku mjafton të dërgosh nga platforma një SMS me targën tënde dhe automatikisht ke parkuar një orë në 30 rrugët kryesore të qendrës së Tiranës”, tha Veliaj, duke shtuar se aplikacioni do të pajiset edhe me mundësinë për të paguar faturat elektronike dhe hartën e linjave të autobusit.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se falë këtij aplikacioni dhe bashkëpunimit të qytetarëve që raportojnë, janë përmirësuar edhe infrastruktura edhe shërbimet. Veliaj deklaroi se brenda një kohe të shkurtër është arritur transformimi i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, i cili dy vite më parë ishte një kompani në prag të falimentimit. “Për herë të parë UKT i jep para bashkisë, që është aksionari kryesor, dhe besoj se për këtë arritje duhet të falenderojmë të gjithë ata qytetarë që në fakt kanë raportuar të gjitha këto problematika. Besoj se kemi arritur në një fazë ku njerëzit po e trajtojnë qytetin si të tyren dhe vetëm kur njerëzit e ndjejnë si ‘plaçkën’ e tyre ‘plaçkën’ e qytetit, atëherë realisht sillemi si në një familje”, tha ai. Veliaj garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për hapjen e pikave të reja të UKT-së në të gjithë zonat e kryeqytetit për të afruar më shumë shërbimet me qytetarët.

Në 1 vit, ky aplikacion ka fituar edhe disa çmime. “Kemi bashki, nga bashkia e Roterdamit te bashkitë në Amerikë, që na kanë kërkuar soft-in dhe si mund ta bëjnë ata për bashkinë e tyre. Pra, jemi kthyer në një vend që sot jo vetëm është shembull, por po na kërkojnë t’u tregojmë si ndodhin gjërat”, tha Veliaj.

Nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime”, çdo qytetar mund të raportojë në kohë reale problematikat ose shqetësimet, papastërtitë, ose shkeljet që has dhe stafi i bashkisë së Tiranës, i cili ka ngritur një strukturë të posaçme, do të shqyrtojë çështjen pas marrjes së raportimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat