Veliaj: Kinemaja do i shërbejë 60 mijë banorëve, i japim formë një prej qendrave të Tiranës policentrike

Tirana

Veliaj: Kinemaja do i shërbejë 60 mijë banorëve, i japim formë një prej qendrave të Tiranës policentrike

Më: 24 janar 2017 Në ora: 13:16
Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Nis rikonstruksioni i kinemasë në Laprakë, do shërbejë si një qendër për aktivitete kulturore dhe artistike 

Shumë shpejt zona e Laprakës do të ketë një kinema, e cila do të shërbejë edhe si qendër për aktivitete kulturore dhe artistike.

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ka nisur rikonstruksionin e plotë të godinës së vjetër të kinemasë në njësinë 11, e cila prej vitesh ishte jo funksionale.

Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që do t’i shërbejë afro 60 mijë banorëve të zonës.

“Jemi këtu për të inspektuar kinemanë e Laprakës, e cila ndryshe njihet edhe si kinemaja e Maks Velos, që arkitekti ynë i famshëm e ka projektuar disa dekada më parë, por që më pas është rrënuar. Sot kjo kinema po merr një pamje të re. Jemi pak muaj përpara se ky projekt të përfundojë dhe besoj se në verë, do të kemi një kinema publike, jo private, për funksione publike të komunitetit, jo vetëm për shfaqjen e filmave, por për të promovuar të rinj të talentuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se me këtë investim merr më shumë formë ideja e një prej qendrave të Tiranës policentrike.

“Lapraka po merr profilin si një ndër qendrat e Tiranës dhe besoj se më e mira është përpara. Këtu ka një spital publik, një spital privat, ka shkolla, gjimnaze, 9-vjeçare, kopshte e çerdhe, dhe me kinemanë e re Lapraka merr profilin se çfarë duhet të ketë një qendër e Tiranës policentrike”, tha Veliaj.

Ai theksoi se nuk mjafton vetëm të thuash që një zonë e Tiranës do të jetë një qendër e re, nëse nuk ka infrastrukturën sociale, me shkolla, kopshte e çerdhe, por edhe infrastrukturë kulturore e artistike, siç mund të jetë kinemaja, e cila do të shërbejë si një vend ku mund të ketë shfaqje, filma, ku mund të promovohen libra e ekspozita.

“Më vjen mirë që familjet e Laprakës kanë gjetur te Bashkia e Tiranës një aleat për fëmijët e tyre sepse po rregullojmë çerdhe e kopshte, kurse këtë vit prioriteti ynë janë shkollat, pa harruar infrastrukturën kulturore”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai bëri të ditur se rikonstruksioni i plotë i kinemasë është një prej shumë projekteve që bashkia ka nisur dhe do të zbatojë në Laprakë, për t’i dhënë asaj rëndësinë e duhur të një qendre të vërtetë dhe të rëndësishme urbane.

“Përveç projekteve që po ndjekim me Ministrinë e Transporteve dhe ‘Cooperazione Italiana’, duke përfshirë kinemanë, dy rrugë, 3 blloqe banimi dhe rehabilitim urban, edhe blloqet që i kemi filluar pranë spitalit ushtarak, blloku numër 1, rruga “Egnatia”, ndaj u kërkoj të gjithë qytetarëve pak durim teksa puna ecën shpejt dhe sigurisht, pak bashkëpunim aty ku do të duhet që të tërheqim një avlli apo një gardh, për t’u siguruar që çdo gjë të bëhet sipas standardeve, me trotuare dhe gjithë hapësirën e nevojshme”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Rakip Suli, vlerësoi angazhimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e të gjithë zonës së Laprakës, duke theksuar se pas një harrese disavjeçare, po realizohen një sërë investimesh të rëndësishme.

“Të rinjtë e Laprakës nuk kanë pasur asnjë ambient, siç do të kenë nesër këtë kinema, për aktivitete të ndryshme. Njësia 11 po kthehet në një nga qendrat e Tiranës policentrike dhe të rinjtë do të kenë mundësi të tjera për argëtim. Pak metra pas po bëhen kanalizimet, lulishte, kënde lojërash etj”, tha deputeti Suli.

Ky investim parashikon rikonstruksionin e plotë të kinemasë së Laprakës. Projekti parashikon ndërtimin e një salle multifunksionale, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme si kinema, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër.

Mjediset e reja do t’i vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë e harruar duke mos njohur investime nga ana e shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat