Veliaj: Qytetarët asnjë lekë për sahatët e ujit të dëmtuar nga ngricat

Tirana

Veliaj: Qytetarët asnjë lekë për sahatët e ujit të dëmtuar nga ngricat

Më: 10 janar 2017 Në ora: 15:50
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj viziton banorët e zonës së Allias-Bregu i Lumit

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, banorët e zonës së Allias-Bregu i Lumit do të kenë mundësi që të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm, pasi zona në fjalë nuk ka pasur mbulim apo linjë furnizimi.

Për të inspektuar punimet, të cilat priten që të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla. 

“Po bëjmë një investim në zonën e Bregut të Lumit për t’u siguruar që nuk investojmë vetëm në sheshin “Skënderbej” apo në qendrat e fshatrave e blloqeve të Tiranës, por në çdo cep të kryeqytetit”, theksoi Veliaj. Nisur nga temperaturat e ulëta që po kalon kryeqyteti këto ditë, ai falenderoi punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve për menaxhimin e situatës, ndërsa garantoi qytetarët që të gjithë matësit e ujit të dëmtuar nga ngricat do të zëvendësohen nga vetë UKT, pa asnjë kosto për qytetarët.

“I falenderoj me gjithë zemër kolegët e Ujësjellësit sepse kjo ka qenë një situatë e jashtëzakonshme për Tiranën, për shkak të ngricave. Tirana nuk ka pasur kohë të tillë të ftohtë që nga viti 1985, çka do të thotë se ngrirja e tubacioneve dhe shpërthimet që kemi pasur në sahate është një situatë e paprecedentë. Kam lënë porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e Tiranës, që asnjë prej banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat e familjes për kushte të natyrës. Kjo do të jetë diçka që do të kompensohet nga xhirot dhe të ardhurat e ndërmarrjes, çdo qytetar duhet të jetë i qetë për këtë çështje”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se me përmirësimin e situatës klimaterike, do të fillojë dhe zgjidhja e problemeve të trashëguara në Tiranë në 25 vitet e fundit.

“Me sistemin e ri të administratorëve do të shfrytëzojmë stinën e ngrohtë të pranverës, verës dhe vjeshtës, për të veshur tubacionet brenda pallatit, sistemimin e kabinave ku janë sahatët, për të mësuar ndoshta edhe nga qytete të tjera, të cilat kanë eksperiencë me motin e ftohtë dhe sigurohen që edhe investimet i bëjnë në këtë formë. Sigurisht që, të gjithë pallatet e reja i kanë këto kritere dhe do i kenë këto kritere në Bashkinë e Tiranës, por për ato që tashmë janë ndërtuar, do të përdorim rrjetin e administratorëve për këto investime të vogla që na shpëtojnë nga situata të tilla”, theksoi ai. 

Në zonën e Allias- Bregu i Lumit, Bashkia e Tiranës po ndërmerr një sërë investimesh për ngritjen e infrastrukturave sociale për banorët. Kështu, do të ngrihet një shkollë, një qendër sociale dhe një Qendër Shëndetësore. Për urbanizimin e kësaj zone, por edhe funksionimin e objekteve publike, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë do të ndërtojë një rrjet ujësjellësi, me një gjatësi prej 200 metrash linearë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat