Veliaj: Dhurata e Vitit të Ri për banorët e Laprakës, lamtumirë baltës

Tirana

Veliaj: Dhurata e Vitit të Ri për banorët e Laprakës, lamtumirë baltës

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 16:49
Njësia 11 kthehet në një nga zonat që ka njohur më shumë investime në Tiranë.

Bashkia e Tiranës vijon ndërhyrjet e saj në të gjithë kryeqytetin për rehabilitimin e blloqeve të pallateve. Këtë fundjavë ka nisur puna për rikualifikimin urban të bllokut Nr. 1 në Laprakë, që kufizohet nga rrugët “Don Bosko” – Shinat e Trenit (Filanto) – Rr. “Turhan Pashë Përmeti” – “Ibrahim Pashë Bushatlliu” – “Lord Bajron” – “Riza Cuka” – “Learton Vathi” – “Pandi Dardha” – “Dritan Hoxha”. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë investim si vijimin e mbajtjes së premtimeve, duke shtuar se investimi në Laprakë është më i rëndësishmi, pas atij te Sheshi Skënderbej, jo vetëm për nga vlera, por edhe për numrin e banorëve që përfitojnë.

“Nuk ka gjë më të bukur se të mbyllësh vitin, duke mbajtur fjalën që ke dhënë në fillim të vitit. Këtu flasim për mbi 40 ha hapësirë, 42-43 rrugë, një nga zonat më të banuara të Tiranës, e pasuruar rishtas me banorë. Dhurata më e mirë e Vitit të Ri për këta banorë është se i themi lamtumirë baltës dhe mirë se erdhe civilizimit, gjelbërimit, asfaltit, këndit të lojërave, ndriçimit, kanalizimeve”, tha Veliaj. Kreyebashkiaku u shpreh se ky investim është prova konkrete e angazhimit të Bashkisë së Tiranës për t’i trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo në periferi të qytetit. Ai u shpreh se Njësia 11 kthehet në një nga zonat që ka njohur më shumë investime në Tiranë.

“Të jesh kryeqytetas nuk mjafton vetëm ta kesh adresën në Tiranë, por edhe të trajtohesh si kryeqytetas. Do të thotë të kesh të gjitha lehtësitë sociale në çerdhe, kopshte, shkolla, për të cilat kemi bërë një punë të lavdërueshme këtë vit, por sigurisht edhe infrastrukturën në çdo lagje. Falenderoj banorët që kanë qenë bashkëpunues, por do vazhdoj të kërkoj bashkëpunimin e tyre. Janë disa ndërtime pa leje, të cilat duhen prishur. Bashkia do të ofrojë banesa sociale dhe bonus qiraje, por nuk mund të mbajmë peng jetët e 20 mijë banorëve që preken nga ky projekt sepse dy vetë kanë vendosur të ndërtojnë në hapësirën e përbashkët ose të bllokojnë një rrugë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje qytetarëve që të përkrahin projektin për diferencimin e mbetjeve që në burim, për të kontribuar në mbajtjen pastër të qytetit. “Dua t’u kërkoj qytetarëve bashkëpunim edhe për projektin tonë të diferencimit të mbetjeve në burim. Është e rëndësishme që të gjithë banorët, të jenë të përgjegjshëm si fëmijët. Mbetjet e riciklueshme t’i hedhim në koshin e gjelbër (plastikë, karton, qelq), ndërsa produktet që nuk riciklohen, në koshin blu. Kështu, mund të kemi jo vetëm infrastrukturë të mirë, por edhe një lagje më të pastër”, tha ai. Duke uruar qytetarët për festat e fundvitit, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për Bashkinë e Tiranë ka vetëm një stinë; stina e punës.

Deputeti i PS, Rakip Suli, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për investimet në këtë zonë. “Nga një zonë e vdekur po kthehet në një zonë që merr jetë. Merr jetë prona, një mundësi që nesër banorët jo vetëm të argëtohen, por edhe të shijojnë pronën e shtëpinë e tyre. Sot, vota për Erion Veliajn, po kthehet në investime për çdo qytetar të njësisë nr. 11”, tha Suli.

Ndërhyrja për rikualifikimin urban të bllokut nr.1 në Laprakë parashikon rikonstruksionin dhe sistemimin e të gjithë segmenteve rrugore dhe shesheve. Një kujdes i veçantë i është kushtuar dhe vendeve për kalimin e këmbësorëve në rrugë, për të mundësuar lëvizjen e lirshme të personave me aftësi të kufizuar, si dhe karrocave me fëmijë. Gjithashtu, do të punohet për vendparkimet për automjetet, ndriçimin, si dhe ndërtimin e rrugicave pedonale mes shesheve. Projekti përfshin edhe gjelbërimin e shesheve ndërmjet pallateve dhe vendosjen e stolave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat