Veliaj: Buxheti 2017-s me rritje 10%, më shumë investime për qytetarët

Tirana

Veliaj: Buxheti 2017-s me rritje 10%, më shumë investime për qytetarët

Më: 16 dhjetor 2016 Në ora: 12:03
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të shqyrtojë buxhetin në ditët e fundit të dhjetorit, ku pjesë e diskutimit do të jetë dhe Plani i ri Urbanistik. Kreu i bashkisë Erion Veliaj është shprehur se do të ketë më shumë investime për qytetarët, duke mbajtur fjalën se buxheti 2017 do të ketë një rritje 10%.

“Të dyja janë lajme të mira; buxheti është 10% më i madh, ndërkohë që nuk do të rrisim asnjë taksë, as për biznesin, as për familjet. Parimi është që të menaxhojmë qytetin si një amvisë, ku të gjitha qindarkat shfrytëzohen për të bërë maksimumin me mundësitë që kemi. Mezi pres që Këshilli Bashkiak të miratojë buxhetin e ri, e sigurisht edhe Planin e ri Urbanistik që i hap rrugë zhvillimit, urbanizimit dhe sistemimit të të gjithë nevojave që ka pasur zona në këto vite”, theksoi Veliaj.

Veliaj ishte i pranishëm në nisjen e punimeve për rikualifikimni urban të një tjetër blloku pallatesh në Selitë, i shoqëruar nga deputeti i PS-së Pandeli Majko dhe administratorja e njësisë nr. 5, Violeta Kila.

Veliaj tha se ky investim është një premtim i mbajtur, duke theksuar se nuk ka mënyrë më të mirë për të uruar Vitin e Ri për banorët e zonës se sa me një investim të ri, i cili ka 30 vite që pritej nga qytetarët.

“Ky është një prej 100 kantiereve të Tiranës. Ne e mbajmë fjalën! Ky është blloku i 50-të i banimit që po fillojmë këtë vit dhe që do të mbarojë patjetër vitin tjetër. Dua të garantoj të gjithë qytetarët që do të maksimizojmë buxhetin e Bashkisë së Tiranës edhe këtë vit. Në 2016-ën kemi pasur realisht buxhetin më të madh ndonjëherë të Bashkisë së Tiranës, por ai i vitit tjetër është akoma edhe më i madh”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat