Veliaj: Piramidën do t’ia rikthejmë qytetit dhe të rinjve

Tirana

Veliaj: Piramidën do t’ia rikthejmë qytetit dhe të rinjve

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 12:21
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një pritjeje me mësues të gjimnazit "Qemal Stafa"

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për kalimin në pronësi të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, e njohur si Piramida, nga Ministria e Kulturës te bashkia e kryeqytetit.

Kjo godinë do të përdoret si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale e rinore, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.

Gjatë një pritjeje me mësues të gjimnazit “Qemal Stafa”, organizuar me rastin e festave të fundvitit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se pas konsultimit edhe me arkitektë të huaj ndërkombëtarë, ideja e Bashkisë së Tiranës është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore, ku Piramida do të jetë në qendër të aktiviteteve kulturore e rinore në qytet.

“Mezi pres që t’ia rikthejmë qytetit Piramidën. Ideja e Bashkisë, bashkë me arkitektët e huaj  ndërkombëtarë që kanë kontribuar, është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore. Ashtu si në kohën time, kur Piramida ishte në fakt qendra e të rinjve dhe vlonte nga aktivitetet e shumta, edhe “RinFesti” të cilin sot e quajmë “Tirana Art-Fest”, bëhej aty, ndaj shpresoj që aty të performojnë edhe kampionët e ardhshëm të artit e të kulturës të shkollës “Qemal Stafa” ose fituesit e radhës të “Tirana Art-festit”. Është një lajm i mirë edhe për të gjitha zyshat që merren kryesisht me artin, kulturën dhe promovojnë super talentet që kemi te ‘Qemal Stafa’”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë e cilësoi tepër pozitiv edhe vlerësimin që Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA) i bën reformave të ndërmarra në arsim. Veliaj tha se për herë të parë Shqipëria në 25 vjet bën kapërcimin më cilësor në rezultatet PISA për vitet e para të gjimnazit.

“Duke qenë se në Tiranë jetojnë një milion banorë, do të thotë se 1/3 e nxënësve të Shqipërisë janë në Tiranë. Tani e kam kuptuar se sa e vështirë është puna juaj. Kur je në ministri, bën ligje, pret të shohësh efektin. Kurse kur je mësues ose kryetar bashkie je porta e parë e çdo situate, çdo krize, çdo problematike. Shumë prej këtyre gjërave, që njerëzit i shohin si me kuriozitet në televizion, si dhuna në familje apo problematika të tilla, jam i sigurt që mësuesi i ka parë para se t’i shohë kamera e televizionit. Jam i sigurt se mësuesi ka një rol përtej thjesht vënies së notës dhe shpjegimit të mësimit, por edhe të një “motre” e “vëllai” të madh, të një “nëne e babai” të dubluar”, tha ai. Veliaj u shpreh se aleatët më të mirë edhe për një Kryetar Bashkia janë mësuesit.

“Roli juaj në Tiranë nuk krahasohet me askënd tjetër. Në sfidat që ka një qytet, nuk di kush është aleat më i mirë, se sa një mësues për një kryetar bashkie, sepse aty mësohet ku hidhen mbeturinat, si trajtohet njeriu në humbje apo në fitore. Të mësojmë të humbasim me dinjitet, por dhe të fitojmë me përulësi, janë disa nga gjërat e karakterit që fatkeqësisht nuk bruhen në shumicën e familjeve tona dhe për të cilat kemi shumë nevojë në klasë”, theksoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat