Veliaj: Punë me 3 turne për ta përfunduar sa më shpejt sheshin “Skënderbej”

Tirana

Veliaj: Punë me 3 turne për ta përfunduar sa më shpejt sheshin “Skënderbej”

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 13:34
Foto

Shumë shpejt qytetit të Tiranës do t’i shtohet një parkim i ri nëntokësor, i cili bashkë me atë që po ndërtohet në fillim të Bulevardit të Ri do të rrisë ndjeshëm kapacitetet e parkimit në qendër të kryeqytetit.

Gjatë inspektimit të punimeve për zbatimin e projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej”, të cilat prej dy muajsh po ecin me ritme të shpejta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ky projekt është tregues i mënyrës se si projektohet Tirana moderne, ku hapësirat publike u kushtohen njerëzve.

Ai u shpreh se vetëm në qendrën e Tiranës, me dy parkingjet publike nëntokësore të bashkisë dhe 4-5 të hoteleve të reja, qendrave tregtare dhe xhamisë së re, kjo zonë do të ketë 2000-2500 vende parkimi. “Pra, nuk ka më asnjë alibi pse dikush duhet të vijë me makinë vërdallë për të bërë 100 ose 200 metra rrugë nga kafja në kafe, ose nga institucioni në institucion”.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh entuziast për ecurinë e punimeve në Sheshin “Skënderbej”, i cili parashikohet të përfundojë në verën e 2017.

Ai falenderoi qytetarët për mirëkuptimin në lidhje me trafikun, duke theksuar se kur bashkëpunojnë të gjithë, mund të arrihet një koordinim i mirë i lëvizjes në qytet, pa cënuar ritmin e ditës.

Duke u ndalur te reshjet e dendura, të cilat priten të përfshijnë kryeqytetin këtë javë, kryetari Veliaj garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe prej ditës së sotme, 1800 punonjës të bashkisë janë në gatishmëri të plotë.

Kryebashkiaku kërkoi nga qytetarët që të mbajnë pastër qytetin, ndërsa i ftoi ata që në 13 Nëntor të bëhen pjesë e aksionit për pastrimin e përgjithshëm vullnetar të Tiranës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat